Qeveria synon të pasurojë koleksionin e veprave të artit në pronësi të shtetit për të ruajtur dhe zhvilluar në mënyrë të qëndrueshme trashëgiminë artistike kombëtare. Për këtë qëllim, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit ka hartuar projektligjin “Për krijimin dhe funksionimin e Fondit Kombëtar për Artin”, i cili është miratuar në Këshillin e Ministrave dhe parashikohet të shkojë për shqyrtim në Parlament. Me miratimin parlamentar, zbatimi i projektligjit planifikohet të nisë nga janari 2027.
Projektligji parashikon krijimin e një instrumenti financiar të posaçëm për blerjen e veprave të artit në ankandet kombëtare dhe ndërkombëtare. Përmes këtij mekanizmi, shteti synon të krijojë mundësi financiare për blerjen e veprave të artit, artefakteve dhe koleksioneve me vlera të veçanta artistike, historike dhe kulturore, përfshirë edhe objektet që ndodhen jashtë territorit shqiptar. Fondi do të sigurohet nga paratë që institucionet publike kursejnë nga tenderët.
Financimi i Fondit Kombëtar për Artin do të vijë nga kursimet buxhetore të krijuara nga procedurat e prokurimit publik të institucioneve të administratës shtetërore qendrore, të konsoliduara në Buxhetin e Shtetit. Në fond alokohet 10% e kursimeve financiare të konstatuara në nivel kombëtar në përputhje me ligjin e buxhetit. Shuma konkrete që do t’i kalojë Fondit çdo vit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.
Përzgjedhja e veprave të artit që do të blihen do të bëhet nga ekspertë të fushës, me mbështetjen teknike të Galerisë Kombëtare të Arteve. Projektligji thekson përdorimin e këtij mekanizmi për të siguruar dhe shtuar koleksionin shtetëror të objekteve me rëndësi artistike, historike dhe kulturore, duke synuar si blerjet brenda vendit ashtu edhe ato jashtë kufijve.

