Është ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare akademiku Luan Omari, një nga figurat e shquara të shkencës juridike shqiptare dhe anëtar themelues i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Lajmi është bërë i ditur nga Akademia e Shkencave, e cila njofton se ai ndërroi jetë më 29 tetor 2026.
Për dekada me radhë, Luan Omari ia kushtoi jetën studimit dhe zhvillimit të së drejtës në Shqipëri, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në mendimin juridik shqiptar, arsimin e lartë dhe ndërtimin e institucioneve demokratike.
I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu arsimin e hershëm në Bari të Italisë, ndërsa maturën e përfundoi në gjimnazin e Tiranës. Studimet e larta për drejtësi i ndoqi në Beograd dhe Sofje, ku u diplomua në shkencat juridike.
Karriera e tij akademike përfshiu disa nga pozicionet më të rëndësishme në arsimin e lartë shqiptar. Ai shërbeu si docent i së Drejtës Publike në Institutin e Lartë Juridik, dekan i Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Tiranës për gati dy dekada, si dhe profesor i Teorisë së Shtetit dhe së Drejtës dhe i së Drejtës Publike. Më pas, mbajti detyrat e sekretarit shkencor dhe zëvendëskryetarit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Akademiku Omari përfaqësoi Shqipërinë edhe në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në debatet evropiane mbi demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.
Ai është autor i dhjetëra studimeve dhe monografive mbi historinë e së drejtës në Shqipëri, të drejtën publike e kushtetuese dhe sistemin juridik shqiptar. Omari mori pjesë në proceset dhe debatet kushtetuese për hartimin e Kushtetutës së Shqipërisë dhe të ligjeve kushtetuese pas viteve ’90, ndërsa formoi breza të tërë juristësh dhe akademikësh.
Për kontributin e tij të veçantë, në vitin 2020, Presidenti i Republikës e nderoi me Dekoratën “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”. Ndërsa në vitin 2016, Akademia e Shkencave e Shqipërisë i akordoi Çmimin e Karrierës Akademike.
Në njoftimin e saj, Akademia e Shkencave shprehu ngushëllimet për familjen, të afërmit, miqtë, kolegët dhe gjithë bashkësinë shkencore, duke vlerësuar kontributin e akademikut Luan Omari në zhvillimin e shkencës dhe kulturës shqiptare.





