
Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan shprehu të enjten vendosmërinë për të “neutralizuar” ata që përpiqen të pengojnë Turqinë të përmbushë objektivat e saj.
Në një fjalim me rastin e festës së Ditës së Republikës së Turqisë, Erdogan tha se vendi i tij u themelua 103 vjet më parë, pasi u mposhtën shtatë fuqi të huaja pushtuese, shkruan Ekathimerini.
“Sot jemi po aq të vendosur të neutralizojmë këdo që përpiqet të vendosë pengesa për arritjen e objektivave tona”, shtoi ai, pa specifikuar se kujt mund t’i referohej. Greqia ishte njëra prej shtatë fuqive që ai përmendi fillimisht.
Deklarata e Erdoganit erdhi pak pasi kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis e cilësoi një marrëveshje të kontestuar për të drejtat detare mes Turqisë dhe Libisë si një “shkelje flagrante të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare të detit”.
Duke folur në një debat të nivelit të lartë, të organizuar nga presidenca greke e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara mbi sigurinë detare, Mitsotakis tha se Greqia dhe Libia janë fqinjë natyrorë me brigje përballë njëri-tjetrit dhe kanë të drejtë të përcaktojnë kufijtë e zonave të tyre detare përmes një marrëveshjeje.
“Në të kundërt, Turqia dhe Libia nuk kanë brigje përballë njëra-tjetrës apo brigje ngjitur. Megjithatë, ato janë përpjekur të vendosin një kufi detar artificial mes tyre”, tha ai, duke e cilësuar këtë veprim si “absurd”.
Greqia, Qiproja, Egjipti, Izraeli dhe Franca, si dhe Bashkimi Evropian, e kanë kundërshtuar marrëveshjen turko-libiane. Ajo u nënshkrua në vitin 2019 nga Ankaraja dhe qeveria e njohur ndërkombëtarisht e Libisë, e cila është e vendosur në pjesën perëndimore të vendit. Autoritetet rivale në Libinë lindore fillimisht e kundërshtuan marrëveshjen, por e miratuan atë javën e kaluar.