Kreu i partisë Yashar, Gadi Eisenkot, ka akuzuar kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe partinë e tij, Likud, se po përpiqen të vënë në pikëpyetje legjitimitetin e rezultateve zgjedhore, pasi nuk kanë arritur të sigurojnë shumicën.
Në një deklaratë publike, Eisenkot pretendoi se reagimet e Netanyahut dhe përfaqësuesve të Likudit ishin të koordinuara dhe të përgatitura paraprakisht. Ai paralajmëroi se nuk do të lejojë pengimin e hapjes së parlamentit izraelit, Knesset, dhe të betimit të deputetëve sipas kalendarit të përcaktuar.
“Është e qartë se Likud dhe Netanyahu kanë nisur një fushatë të koordinuar dhe të organizuar për delegjitimimin e rezultateve zgjedhore. Ata po e bëjnë këtë sepse humbën dhe nuk e kanë shumicën”, deklaroi Eisenkot.
Ai u ndal edhe te dyshimet për ndërhyrje të huaja në procesin zgjedhor, duke bërë të ditur se kishte zhvilluar takime me drejtuesin e shërbimit të sigurisë Shin Bet dhe kreun e Komitetit Qendror të Zgjedhjeve. Sipas tij, është ende herët për të përcaktuar nëse ka pasur ndërhyrje dhe çfarë ka ndodhur konkretisht. Eisenkot kërkoi që hetimi të përfundojë pa ndikime politike.
Kreu i Yasharit e cilësoi ndërhyrjen e huaj në Izrael si të papranueshme, veçanërisht nëse ajo lidhet me një shtet që, sipas tij, financon terrorizmin dhe mbështet Hamasin. Ai iu referua Katarit, duke pretenduar se ky vend kishte arritur të depërtonte edhe në zyrën e kryeministrit izraelit.
“Është thelbësore të hetohet nëse janë përpjekur të ushtrojnë ndikim dhe përmes kujt kanë synuar ta bëjnë këtë”, tha ai.
Në të njëjtën dalje, Eisenkot prezantoi edhe disa nga prioritetet e tij politike. Mes tyre janë një ligj për rekrutimin ushtarak dhe shërbimin e të gjithë qytetarëve izraelitë, krijimi i një komisioni shtetëror hetimor për sulmet e 7 tetorit, reforma e mekanizmit buxhetor dhe masa që u japin përparësi qytetarëve që shërbejnë në ushtri.
Ai bëri të ditur se përgatitjet për këto nisma kanë nisur dhe se, në bashkëpunim me partnerët e tij, synon t’i paraqesë për votim pas hapjes së Knessetit.
Eisenkot akuzoi gjithashtu Netanyahun se ka përdorur institucionet shtetërore për të mbrojtur interesat e veta, në dëm të atyre të vendit.
“Kanë përfunduar ditët kur Netanyahu përdor institucionet shtetërore kundër interesave të Izraelit për të mbrojtur interesat e tij personale”, deklaroi ai.
Në përfundim, kreu i Yasharit pretendoi se votuesit izraelitë kishin shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë së drejtuar nga Netanyahu, të cilën e lidhi me ngjarjet e 7 tetorit, si dhe ndaj atyre që shmangin shërbimin ushtarak. Ai u bëri thirrje qytetarëve të ruajnë qetësinë dhe durimin, duke shprehur bindjen se situata politike mund të ndryshojë.


