Në një rrëfim ekskluziv në emisionin “Çim Peka Live” në SYRI TV, biznesmeni Behgjet Pacolli tregon prapaskenat e takimit me ish-presidentin jugosllav Sllobodan Millosheviq në vitin 1998, në një nga periudhat më tragjike të historisë së Kosovës.
Pacolli rrëfen se ndodhej në rrugë nga Lugano, ditën kur ndodhi tragjedia e familjes Jashari në Prekaz, dhe se lajmin e mësoi pasi mbërriti në aeroport. Sipas tij, fotografitë e masakrës iu treguan nga një zyrtar rus, i cili e nxiti të takohej me presidentin rus Boris Jelcin për të diskutuar atë që kishte ndodhur.
Pacolli zbulon se pas takimit me Jelcinin udhëtoi drejt Beogradit, ku zhvilloi një takim tetëorësh me Millosheviqin, me synimin për të organizuar një takim mes tij dhe liderëve politikë të Kosovës.
Ai tregon se propozimi nuk u realizua, pasi Ibrahim Rugova nuk pranoi të takohej me Millosheviqin në kushtet e propozuara, ndërsa më pas në proces u përfshi edhe diplomati amerikan Richard Holbrooke. Në intervistë, Pacolli ndan versionin e tij për këto zhvillime dhe shpreh keqardhjen se mund të ketë ekzistuar një mundësi për të shmangur luftën në Kosovë.
Intervista ekskluzive:
Pacolli: Që nesër të shkoj ta takoj presidentin e Finlandës, ish-presidentin e Finlandës.
Peka: Ahtisaarin.
Pacolli: Po. Do të thotë edhe praktikisht është e paevitueshme, thotë, lufta në Kosovë, sa të mundeni më thotë tërhiqni njerëzit prej aty. Edhe kjo ka qenë, kjo i ka qenë epizoda që unë kam qenë aty çdo moment. Po, mirëpo para se të ndodhë kjo, unë kam pasë një rast tjetër kur shkova dhe u takuam me Millosheviqin.
Peka: Jeni taku ju me Sllobodan Millosheviqin?
Pacolli: Unë jam taku me Sllobodan Millosheviqin, absolutisht, këtë e kam, në momentin që jam takuar e kam zyrtarizuar edhe pse kam marrë aq shumë kritika, kam marrë aq shumë sharje prej njerëzve që nuk e dinin fare në cilin kontekst unë jam taku me të. Unë kam qenë në rrugë prej Luganos, në ditën kur ka ndodhë tragjedia, do të thotë në marsin e '98-ës.
Peka: E Reçakut?
Pacolli: Jo, tragjedia e Jasharajve.
Peka: E Jasharajve, po.
Pacolli: Kur ka ndodhë, unë kam qenë në rrugë, nuk kam ditë çka ka ndodhë, kam mbërri në aeroport edhe kanë ardhë njerëzit e mi më kanë marrë, duke shkuar vëllai im më thotë: "Zëvendësministri i punëve të jashtme (që atëherë ishte Primakovi ministër) thotë, është, do gjithsesi që ti me shku edhe me e pa atë". I thashë "Po vërtetë, çka po don?". Ne ishim duke punuar në pallat, e rinovonim atë pallat, apo, një pjesë tjetër. Edhe unë shkoj aty edhe shkoj drejt te ai. Ai ka pasur një zyrë shumë të vogël, një tavolinë goxha primitive, ne ia rinovonim, ia bënim më të mirë. Edhe shkoj aty, ai goxha i nervozuar, ai ishte mysliman nga Dagestani. Edhe e shoh se ai diçka nën tavolinë printon. Unë isha ulur, ai printon diçka, unë duke menduar që ai mos po bën ndonjë kafe a ndonjë çaj aty se e kishin si zakon ata, edhe e nxjerr një tufë fotografish, i qet në tavolinë edhe unë i shoh fotografitë e tragjedisë së familjes Jashari. Ato ia kishte transmetuar një agjenci, po më duket Europa e Lirë a cila, nuk e di cila ka qenë. Ia kishte transmetuar me telefaks. Edhe unë e shoh atë dhe thotë "Të lutem", thotë, duke parë këtë, ai ka qenë mysliman nga Dagestani, thotë "duke parë këtë çka kanë bërë", thotë "është e pakuptueshme. Plus, shko te Jellcini, thotë ti mundesh me shku edhe me fol". Edhe unë, ai ma bën takimin me shefin e protokollit. Në atë moment unë shkoj atje dhe e takoj presidentin, ia tregoj fotografitë. Edhe mirë e vesh, ai thotë shko atje. Unë i them është rrezik të shkoj atje. Ti ec atje, të pret në aeroport ambasada.
Peka: Shkon në Beograd?
Pacolli: Po shkon në Beograd. Thotë edhe unë ma jep një shenjë që po dua ta lë, ta mbaj për veti...
Peka: Po, m'ke thënë, s'do me tregu atë.
Pacolli: Vetëm bëja me dije që ti e din për një rast të tijin, kur ai ishte, Millosheviqi...
Peka: Po, një rast kur ishte me djalin e vet në Limasol në...
Pacolli: Në Qipro, po.
Peka: Pra, në një farë forme për ta shantazhuar.
Pacolli: Jo, kjo është në Limasol, është qyteti i Qipros...
Peka: I Qipros, po në Qipro. Për ta paralajmëruar.
Pacolli: Edhe unë, jo vetëm për ta, le ta dinë që ti e din, edhe fund. Edhe normalisht thotë t'i tregoj çka ndodh krejt. Unë ndodh kjo, marr aeroplanin tim, shkoj në Beograd, vjen makina e ambasadës ruse, pa asnjë formalitet, shkoj jashtë edhe mbas një ore unë shkoj te Millosheviqi. Tetë orë kam qenë te ai. Këtë e kam, e kam dhënë edhe në një intervistë tjetër, detajisht e kam treguar te Blendi Fevziu moti, atëherë në fillim. Kam qenë aty edhe në fund të ditës kam shkuar në Kosovë. Qëllimi im ka qenë që të bëhet një takim i liderëve kosovarë me të. E akordova me Millosheviqin, në Kosovë zoti, presidenti Rugova nuk deshi, duke thënë se nuk i beson Millosheviqit. Dhe ai telefonoi Holbrook-ut, Holbrook-u ishte në Uashington, i tha presidentit "Mos shkoni, unë vij atje". Ai erdhi, i çoi ata, por nuk i çoi aty, në vendin neutral ku e kisha, ku e kisha diskutuar me të, në hotel, po ai shkoi në rezidencën e tij. Dhe Holbrook-u mbeti jashtë, nuk hyri brenda fare, nuk e lanë, edhe aty shkuan të njëjtit liderë të cilët kishin refuzuar takimin që unë ua kisha aranzhuar, domethënë në fund të prillit ishte kjo, atë vitin '98.
Peka: Pra refuzimi i erdhi prej presidentit Rugova me idenë se donte garanci amerikane. Ndonëse ai nuk i besonte Millosheviqit.
Pacolli: Normal, unë e kuptoj. Unë e kuptoj, mirë, pse e ka bërë refuzimin zoti, presidenti Rugova. E ka bërë për arsye se ka qenë në marrëdhënie me Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe normalisht veprimi ka qenë ndoshta i duhur për të, por ka dalë keq për arsye se më efektiv do të ishte të takoheshin në neutral edhe aty ka qenë një agjendë e diskutuar. Mirëpo unë e di që prej asaj dite kur kam qenë te Millosheviqi, demonstratat nuk janë penguar më në Kosovë se në prezencën time ai ka thirrur ministrin e punëve të brendshme, a si ka thënë: "Mos i ngacmoni njerëzit le të demonstrojnë". Kanë demonstruar nja 2-3 ditë studentët edhe janë kthyer në shtëpi. Por më mbetet marak se ndoshta ka qenë një mundësi me e evitu luftën. Mirëpo çdo gjë që përkryhet mirë do të thotë, ka pasë të drejtë ai, tash jemi në këtë situatë. Holbrook-u si çdo kush, duhet ta dini se ai ka qenë pak edhe një farë, një farë egocentrik i ka qenë, edhe ka dashur që çdo gjë që ndodh ta ketë si sukses të vetin, normalisht.
© SYRI.net