VIDEO/ Zhulali: Letra e kongresmenëve e lidh drejtpërdrejt Ramën me korrupsionin në…

20:17, 29/10/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Ekspertja e çështjeve ndërkombëtare, Ilda Zhulali, analizoi në emisionin “Ora 19” në SYRI TV, me moderatoren Armela Ferko, letrën e dy kongresmenëve amerikanë drejtuar sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, ku kërkohen masa ndëshkimore ndaj personave të përfshirë në korrupsion në Shqipëri.

Zhulali tha se shqetësimet e shprehura nga pala amerikane për korrupsionin dhe sigurinë kombëtare marrin një kuptim më të drejtpërdrejtë përmes kësaj letre, e cila, sipas saj, e vendos kryeministrin Edi Rama në qendër të përgjegjësisë politike.

Sipas saj, fakti që dy figura të rëndësishme të qeverisë shqiptare, ish-zv/kryeministrja Belinda Balluku dhe ish-drejtuesja e shërbimit inteligjent Vlora Hyseni, përballen me akuza të rënda nga SPAK-u, e lidh drejtpërdrejt Ramën me përgjegjësinë për situatën në nivelet e larta të qeverisjes.

Duke iu referuar masave të kërkuara në letër, ekspertja përmendi kufizimin e vizave dhe vendosjen e sanksioneve në kuadër të Aktit Global Magnitsky, instrument që përdoret nga Shtetet e Bashkuara për të ndëshkuar persona të përfshirë në korrupsion të rëndë ose shkelje të të drejtave të njeriut, sipas kritereve ligjore përkatëse.

Sipas Zhulalit, shqetësimet amerikane lidhen me korrupsionin në nivele të larta dhe me lidhjet e mundshme me narkotrafikun, të cilat, në vlerësimin e saj, mund të përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare të SHBA-së.

‘Edhe ambasada amerikane po edhe Departamenti i Shtetit kanë kërkuar nga Shqipëria që të bëhet edhe një skanim i investimeve të huaja në Shqipëri.

Dhe e kanë lidhur këtë pra duke përmendur korrupsionin si një fenomen të përgjithshëm, ata pastaj e zbërthejnë duke e lidhur dhe me momente të tjera që duhet t'i skanojnë Shqipërisë, por në fund të fundit përmes kësaj letre ata kanë dalë edhe drejtpërdrejt tek arsyeja dhe motivi i këtij shqetësimi që është vetë kryeministri Rama.

Fakti që janë dy persona kaq të rëndësishëm të qeverisë shqiptare si ish-zëvendëskryeministri dhe ish-drejtuesja e shërbimit inteligjent, të cilat janë sot me akuza nga më të rëndat nga SPAK-u, kjo e bën Edi Ramën drejtpërdrejt të lidhur si aktor, por dhe përgjegjës.

Nëse e lexon këtë letër, aty kërkohet përgjegjësi, sepse Edi Rama shikohet si mburojë e drejtpërdrejtë e këtyre të dyjave, por edhe të individëve të tjerë brenda qeverisë apo administratës së Ramës që janë përfshirë në akte korrupsioni apo vjedhjeje apo të tjera apo të narkotrafikut, dhe Edi Rama tani shikohet drejtpërdrejt si personi që ka përgjegjësinë politike, por që nuk mund t'i shmanget edhe një përgjegjësie tjetër jo vetëm morale që lidhet me Shqipërinë, por dhe përgjegjësive penale.

Prandaj ata kërkojnë ndërmarrjen e masave që janë dy masat e para që vetë administrata ka në dorë, lidhet me kufizimin e vizave dhe me dizenjimin sipas aktit Magnitsky që e quajnë ata, që është një akt i cili shpall non grata ose persona të padëshiruar dhe në një farë mënyre armiqësorë të gjithë personat që janë të lidhur me korrupsion, por jo vetëm që janë të lidhur me korrupsionin, por përbëjnë rrezik për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për sigurinë e saj. Kështu që në këtë këndvështrim, Edi Rama i përmbush të dyja llojet e rreziqeve që shikon tek ne sot Amerika, edhe atë të narkotrafikut edhe të korrupsionit në nivele të tilla që përbëjnë kërcënim për sigurinë.’, u shpreh ndër të tjera, Ilda Zhulali në SYRI TV.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco