Vendosni të dhënat e mjetit tuaj, krahasoni taksën aktuale me atë të propozuar dhe shihni nëse kursimi te karburanti mund të mbulojë rritjen e detyrimit vjetor.
Sa do të ndryshojë taksa e makinës suaj në vitin 2027? Albeu.com sjell një kalkulator që u mundëson drejtuesve të automjeteve të përllogarisin detyrimin vjetor sipas projektligjit të ri dhe ta krahasojnë me skemën aktuale.
Të lidhura
None found
Shërbimi është i aksesueshëm në faqen e kalkulatorit të taksës së automjeteve. Për të marrë përllogaritjen, përdoruesit duhet të zgjedhin llojin e mjetit dhe karburantin, si dhe të vendosin cilindratën dhe vitin e prodhimit. Për kategoritë përkatëse kërkohen edhe pesha ose të dhënat që përcaktojnë nëse automjeti klasifikohet si luksoz.
Kalkulatori paraqet krahasimin mes taksës sipas skemës aktuale dhe asaj të propozuar për vitin 2027, bashkë me shpjegimin e mënyrës së llogaritjes. Ai mbulon autoveturat, motomjetet, mjetet e transportit të përzier, kamionët, furgonët, autobusët, rimorkiot dhe gjysmërimorkiot, si dhe mjetet elektrike.
A e mbulon kursimi te karburanti rritjen e taksës?
Përveç përllogaritjes së detyrimit vjetor, shërbimi ofron edhe një krahasim të ndikimit të mundshëm nga heqja e taksës së qarkullimit mbi naftën dhe benzinën. Duke vendosur kilometrat që përshkojnë gjatë vitit dhe konsumin mesatar të automjetit, përdoruesit mund të vlerësojnë nëse kursimi i mundshëm te karburanti kompenson rritjen e taksës vjetore.
Ky vlerësim mbështetet te heqja e propozuar e taksës prej 27 lekësh për litër, ose deri në 32,4 lekë duke përfshirë efektin e TVSH-së. Kursimi mbetet i kushtëzuar nga përcjellja e plotë e kësaj uljeje në çmimin e pompës.
Në të njëjtën faqe, lexuesit mund të konsultojnë tabelat e tarifave dhe koeficientëve të vjetërsisë, shpjegimet për kategoritë e ndryshme të mjeteve dhe përgjigjet për pyetjet më të shpeshta.
Përllogaritjet janë orientuese dhe bazohen në projektligj
Ndryshimet parashikohen të zbatohen nga 1 janari 2027, nëse miratohen nga Kuvendi. Shifrat mund të ndryshojnë gjatë procesit të miratimit, ndërsa detyrimi përfundimtar që duhet paguar përcaktohet nga DPSHTRR.
Kalkulatori nuk përfshin siguracionin, kontrollin teknik, gjobat, tarifat e tjera apo përjashtimet ligjore për kategori të caktuara mjetesh.
Klikoni këtu për të llogaritur taksën e automjetit tuaj në Albeu.com.





