Të enjten para Gjykatës së Apelit janë paraqitur tre të dënuarit për vrasjen e Liridona Ademajt - Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla. Kolegji i Apelit vendosi në fillim që seanca të mbyllet për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe marrëdhënieve familjare, e që nxiti më pas kritika.
Flutura Kusari, juriste e të drejtës së medias, ka shprehur shqetësim me vendimin për mbylljen e seancës për publikun, ndërsa theksoi se nuk ka arsye ligjore për një vendim të tillë.
“Nuk ka asnjë arsye ligjore që seanca e Apelit mos me qenë publike. Ajo çka pamë sot është një vendim i paarsyetuar se me mbyllë një seancë gjyqësore edhe pse nuk ekzistojnë arsyet ligjore. Kjo mungesë e transparencës do ta dëmtojë Gjykatën e Apelit”, ka thënë ajo para mediave që u larguan jashtë sallës pas vendimit të kolegjit.
Gjykata pas seancës ka dalë me sqarim për vendimin për mbylljen e seancës. Ky vendim, sipas Apelit, është marrë "në përputhje me dispozitat ligjore të procedurës penale, duke pasur parasysh natyrën e çështjeve të trajtuara, të cilat kanë paraqitur nevojën për mbrojtjen e jetës private dhe familjare të pjesëmarrësve në procedurë".
Gjykata ka shtuar se në këtë çështje penale edhe në procedurën e zhvilluar në shkallë të parë, një pjesë e seancave gjyqësore është mbajtur me dyer të mbyllura.
Edhe
Apeli mbyll dyert gjatë trajtimit të rastit të Liridona Ademajt
Apeli shqyrtoi ankesat e parashtruara nga Prokuroria Themelore në Prishtinë për shkak të vendimit për Kokallën, e nga pala e dëmtuar, duke kërkuar që edhe Kokallës t’i shqiptohet dënim me burgim të përjetshëm.
Ankesë kanë parashtruar edhe të dënuarit.
Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Ademajt.
Avokati i familjes Ademaj kërkon që edhe Kushtrim Kokalla të dënohet me burgim të përjetshëm
Avokati i familjes së të ndjerës Liridona Ademaj, Leutrim Syla, ka thënë se shpreson që Gjykata Apelit ta dënojë me burgim të përjetshëm Kushtrim Kokallën, e t’u konfirmohen dënimet me burgim të përjetshëm edhe Naim Murselit dhe Granit Plavës.
Me aktgjykimin e 21 prillit 2026, Gjykata Themelore në Prishtinë dënoi Naim Murselin dhe Granit Plavën me burgim të përjetshëm, ndërsa Kushtrim Kokallën me 30 vjet burgim, pasi u shpallën fajtorë për vrasjen e Liridona Ademajt.
Edhe
Më 29 tetor mbahet seanca e Apelit ndaj Naim Murselit dhe të tjerëve
“Në raport me ankesën që kemi dorëzuar. Qëndrojmë plotësisht pranë atyre pretendimeve se nuk do të kishte vrasje të Liridona Ademajt sikur të mos ishte Kushtrim Kokalla. Kushtrimi ka qenë aktiv qysh në fillim, madje jo ashtu siç është deklaruar në seanca e mbajtur në deklarata fillestare, se jam takuar dy javë përpara. I kemi ofruar gjykatës prova të mjaftueshme se të njëjtit një vit përpara kanë planifikuar për vrasjen. Një vit përpara kanë inskenuar edhe metodat tjera për të kryer vrasjen. Por kanë dështuar dhe e kanë kryer ashtu siç u kry...Anëtarë të krimit të organizuar e të rikualifikohet kjo vepër. E të dënohen të tre me të njëjtin dënim burgim të përjetshëm...Nuk ka dënim tjetër që e konsumon, plotëson dhe e reflekton këtë krim makabër ndaj Liridonës”, tha Syla.
Kolegji i Apelit të enjten vendosi në fillim që seanca të mbyllet për publikun për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe marrëdhënieve familjare.
“Konsideroj se seanca duhej të ishte e hapur. Siç e them këtu e them gjithmonë. Ka qenë momenti më i mirë për të treguar se si dënohen ata që vrasin gra”, tha Syla.
E Leonard Ademaj, vëllai i të ndjerës Liridona Ademaj, po ashtu ka thënë se shpreson që Gjykata e Apelit të dënojë me burgim të përjetshëm edhe Kushtrim Kokallën.
“Edhepse seanca është për motrën tonë. Dua t’i shprehi ngushëllime më të sinqerta familjes së Arlinda Zekajt. E kuptojmë dhimbjen e tyre. Ajo çfarë pamë sot në këtë seancë nuk ishte e hijshme as për ju, as për ne dhe as për njerëzit që na shohin. Sot gjykata mundi të thotë të vërtetën, e mundi t’i lirojë edhe mediat e të krijojë bindjen se ne i mbrojmë gratë, motrat e nënat tona. Pra, ne presim që vendimi të jetë ai si për Naimin e Granitin, me burgim të përjetshëm. E shpresojmë shumë që këtij vendimi t’i bashkëngjitet edhe Kushtrimi me burgim të përjetshëm”, tha Ademaj.
Edhe
Murseli e Plava dënohen me burgim të përjetshëm për vrasjen e Ademajt, Kokalla me 30 vjet
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, rreth orës 20:25, në fshatin Bërnicë të Prishtinës, në rrugën „Dalip Alshiqi“. Ajo ishte 30 vjeçe.
