Policia e Kosovës ka pezulluar nga puna 11 zyrtarë policorë për trajtimin e rastit të Arlinda Zekajt, që u vra ditë më parë në Vitomiricë të Pejës.
Zekaj u vra më 25 tetor nga ish-kunati i saj, ndërsa vetëm tri ditë më herët u kishte shkruar letër institucioneve duke u treguar se jeta e saj po rrezikohej. Në ditën e vrasjes, ajo pati denoncuar bashkëshortin për kanosje. Pasi ai u ndalua për 48 orë, Policia e ktheu në shtëpi Zekajn e sipas deklaratave të autoriteteve “kjo ndodhi me vetëdëshirë”. Sapo u kthye në shtëpi, Zekaj u qëllua me sëpatë nga ish-kunati.
Tani Policia ka njoftuar për suspendim të zyrtarëve përfshirë ushtruesin e detyrës së drejtorit rajonal të Pejës, shefin e hetimeve rajonale, komandantin e stacionit policor, zëvendëskomandatin, shefin e hetimeve, ushtruesin e detyrës së shefit të sektorit të operativës, komandantin e nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë.
“Suspendimet janë bërë në interes të hetimeve të pavarura, llogaridhënies institucionale dhe përgjegjësive individuale, në trajtimin e rastit. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e vlerave, integritetit dhe shërbimit në mënyrë të drejtë e të paanshme, si dhe do të bashkëpunojë ngushtë me të gjitha institucionet relevante”, thuhet në njoftim të Policisë.
Për rastin janë pezulluar nga puna edhe kryeprokurorja e Prokurorisë në Pejë dhe prokurorja e rastit.
Kuvendi ka formuar të enjten komision hetimor parlamentar për mosveprimet e institucioneve në lidhje me rastin.
Në Prishtinë u protestua dje e protestat u paralajmëruan se do të vazhdojnë deri në shkarkim të ministrave të Drejtësisë dhe të Brendshëm.
Gjetjet e IPK-së për 11 policët e suspenduar: S’ishte ekzekutuar urdhri mbrojtës për Arlinda Zekajn
Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka konstatuar se Policia e Kosovës nuk e kishte dokumentuar ekzekutimin e urdhrit mbrojtës të 7 shtatorit për Arlinda Zekajn, e cila u vra katër ditë më parë në Vitomiricë të Pejës. Zekaj pati kërkuar urdhër mbrojtje nga ish-bashkëshorti Jeton Sylaj.
Gjatë ditës së sotme, u suspenduan 11 policë me rekomandim të IPK-së për këtë rast.
Sipas gjetjeve preliminare të IPK-së, urdhri i dytë mbrojtës, i lëshuar më 16 tetor, ishte ekzekutuar me gjashtë ditë vonesë, më 22 tetor, pas ndërhyrjes së Inspektoratit, i cili paraprakisht kishte pranuar informatë nga vetë Zekaj.
IPK-ja ka konstatuar edhe se zinxhiri komandues policor nuk e kishte trajtuar një email të 23 tetorit, përmes të cilit një hetues policor kishte kërkuar vlerësimin e rastit dhe asistencë shtesë. Hetuesi kishte rekomanduar që, gjatë kohës kur Zekaj ndodhej në shtëpi, ajo të vizitohej nga patrullat policore dhe të mbahej komunikim më i shpeshtë me të, për të evidentuar situatën brenda shtëpisë.
Sipas IPK-së, ka pasur dështime në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimin e nivelit të rrezikut dhe ekzekutimin e vendimeve të gjykatës. Përgjegjësitë e identifikuara përfshijnë Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin në Vitomiricë dhe njësitë hetimore në nivel rajonal e stacioni.
“Janë suspenduar u.d. drejtori rajonal në DRP-Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale në DRP-Pejë, komandanti i Stacionit Policor në Pejë, zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefi i Sektorit të Hetimeve në Stacionin Policor në Pejë, u.d. shefi i Sektorit të Operativës në Stacionin Policor në Pejë, komandanti i nënstacionit në Vitomiricë dhe katër hetues policorë të Stacionit Policor në Pejë”, thuhet në njoftimin e IPK-së
IPK-ja ka bërë të ditur se do të vazhdojë veprimet hetimore dhe verifikuese për të shqyrtuar mënyrën se si policia i kishte trajtuar raportimet e të ndjerës.
Gjetjet e IPK-së:
• Nga Policia e Kosovës nuk dokumentohet që është ekzekutuar urdhri mbrojtës C.11r.1300/26 i datës 7 shtator 2026;
• Urdhri i dytë mbrojtës i datës 16 tetor 2026 është ekzekutuar me 6 ditë vonesë më 22 tetor 2026, dhe atë pas ndërmarrjes së veprimeve zyrtare nga IPK e cila kishte pranuar fillimisht një informatë nga ankuesja – znj.Zekaj ;
• Mos trajtimi nga zinxhiri komandues i shkresës/emailit të datës 23 tetor 2026, të dërguar nga hetuesi policor i cili kërkon vlerësim të rastit dhe asistence në kapacitete. Hetuesi kishte vlerësuar që gjatë kohës që znj. Arlinda Zekaj ndodhej në shtëpi, të vizitohej nga patrulla të uniformuara policore dhe komunikim të shtuar me të, me qëllim të evidentimit të situatës brenda shtëpisë;
• Dështim i zinxhirit përgjegjës komandues në trajtimin e rastit të dhunës në familje, vlerësimit të nivelit të rrezikut dhe ekzekutimit të vendimit të Gjykatës kompetente duke përfshirë: Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Pejë, Nënstacionin policor në Vitomiricë dhe njësitë e hetimeve nga niveli rajonal dhe në nivel stacioni.