Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, pritet të dalin sot në një konferencë të përbashkët për rastin e Arlinda Zekajt, e vrarë në Vitomiricë të Pejës.
Dalja para mediave është caktuar për orën 09:00 në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës. Në të njëjtën orë, para ndërtesës së Qeverisë është paralajmëruar një protestë kundër vrasjes së grave.
Të lidhura
None found
Protesta po organizohet pas reagimeve të shumta për vrasjen e Zekajt dhe thirrjeve që institucionet përgjegjëse të japin llogari. Ditët e fundit janë mbajtur edhe protesta, ku është kërkuar hetimi i veprimeve dhe mosveprimeve të zyrtarëve të përfshirë në trajtimin e rastit.
Zyra e Kryeministrit bëri të ditur një ditë më parë se kishte pranuar raportet e detajuara nga Ministria e Drejtësisë dhe Ministria e Punëve të Brendshme për rastin.
Sipas njoftimit, dokumentet do të analizohen me hollësi në bashkëpunim me ministrat përkatës, me synim shqyrtimin e historikut dhe ecurisë së rastit, si dhe identifikimin e lëshimeve të mundshme, neglizhencës, mosreagimit dhe përgjegjësisë institucionale.
Në njoftim thuhet se shqyrtimi do të përfshijë çdo lëshim dhe trajtim të papërgjegjshëm, neglizhencën dhe mungesën e reagimit, si edhe çështjet që lidhen me procedurën dhe përgjegjësinë institucionale.
Qeveria njoftoi se konferenca e Gërvallës dhe Sveçlës do t’i kushtohet raporteve të pranuara dhe hapave të mëtejshëm lidhur me rastin.







