Humb betejën me Alzheimerin, ndërron jetë në moshën 86-vjeçare aktori Patrick Stewart

Botë | 1 minutë më parë

Aktori i njohur britanik Sir Patrick Stewart, një prej figurave më të spikatura të teatrit dhe kinematografisë, ka ndërruar jetë në moshën 86-vjeçare. Ai u nda nga jeta të mërkurën në banesën e tij në Los Angeles, pas një beteje me sëmundjen e Alzheimerit dhe demencën me trupa Lewy. Lajmi u bë publik të enjten përmes një deklarate në llogarinë e tij zyrtare në Instagram. Sipas njoftimit, aktori kaloi ditët e fundit të jetës në kujdesin e bashkëshortes së tij, Sunny, i rrethuar nga familjarët dhe miqtë. Në deklaratë bëhet e ditur se ai u përcoll në një atmosferë të mbushur me emocione, mes muzikës live, lutjeve, lotëve dhe të qeshurave.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta ka shkaktuar reagime të shumta në botën e artit, ndërsa kolegë dhe miq të tij kanë publikuar mesazhe prekëse në nderim të aktorit.

Mes tyre janë edhe aktorët Ian McKellen dhe William Shatner, të cilët kanë drejtuar homazhet për Stewart. McKellen e përshkroi atë si një “burrë për t’u mbështetur, për t’u admiruar dhe, në rastin tim, për ta dashur”. Ndërsa William Shatner, i njohur gjithashtu për rolin e tij në universin “Star Trek”, u shpreh se Stewart “përfaqësoi më të mirën prej nesh”. Një tjetër aktor i kastit të “Star Trek”, George Takei, e cilësoi atë si një “legjendë të pazëvendësueshme”.

Patrick Stewart ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme artistike që zgjati rreth shtatë dekada, duke spikatur si në teatër, ashtu edhe në film dhe televizion. Ai u bë veçanërisht i njohur në mbarë botën për interpretimin e kapitenit Jean-Luc Picard në serinë ikonike “Star Trek”, rol që e ktheu në një prej figurave më të dashura të këtij universi fantastiko-shkencor. Përveç suksesit në ekran, Stewart pati një karrierë të vlerësuar edhe në skenat e West End dhe Broadway. Ai nisi rrugëtimin artistik në Royal Shakespeare Company, ku interpretoi në një sërë veprash klasike të dramaturgjisë botërore.

Kompania Mbretërore e Shekspirit, ku aktori hodhi hapat e parë të rëndësishëm në skenë, e ka kujtuar atë si një “kolos” të teatrit. Ndërkohë, fansat në Los Angeles janë mbledhur pranë yllit të tij në Hollywood Walk of Fame për të nderuar kujtimin e aktorit. Largimi i Patrick Stewart shënon humbjen e një prej artistëve më të rëndësishëm të skenës dhe ekranit, karriera e të cilit la gjurmë në disa breza spektatorësh në mbarë botën.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme