I lënë jashtë listës prej 30 lojtarësh për Topin e Artë, sulmuesi Désiré Doué nuk duket se është prekur veçanërisht nga ky përjashtim, duke gjykuar nga paraqitjet e tij të fundit për PSG-në. Francez ka shfaqur lojë mbresëlënëse kundër Manchester City (4-2) dhe Barcelona (4-2) në Champions League, si dhe ka shënuar golin e tij të parë në Ligue 1 për këtë sezon kundër Strasbourg (3-1).
Me 4 gola dhe 4 asiste në 12 ndeshje, ai i ka krijuar padyshim Luis Enrique një dilemë të këndshme zgjedhjeje brenda skuadrës. “Për një lojtar me nivelin e tij të aftësive teknike dhe në moshën që ka, gjëja më e vështirë është menaxhimi i zhurmës që krijohet rreth tij,” pranoi trajneri i PSG.
“Kjo është sfida më e vështirë për mua, sepse e njoh shumë mirë Désiré Doue”, tha Enrique. Në një formë të shkëlqyer gjatë paraqitjeve të fundit, Désiré Doué mund të vazhdojë të përfitojë nga mungesat e Ousmane Dembélé dhe Khvicha Kvaratskhelia për të fituar më shumë minuta lojë dhe për të forcuar statusin e tij në rritje brenda ekipit parizien.
“Ai është një lojtar me një etikë të jashtëzakonshme pune dhe një dëshirë të vazhdueshme për të ndihmuar ekipin. Edhe kur zëvendësohet, ai qëndron në stol me buzëqeshje. Ai vërtet dëshiron të kontribuojë për skuadrën,” tha Luis Enrique, i cili ka një simpati të dukshme për të riun, tek i cili ka besim.
Megjithatë, trajneri spanjoll kujdeset gjithashtu t’i kujtojë lojtarit francez që të mos e ulë vigjilencën. “E inkurajoj të vazhdojë të veprojë në të njëjtën mënyrë: të mbetet modest, por ambicioz, sepse të jesh ambicioz është e rëndësishme. Ai thjesht duhet të vazhdojë të bëjë atë që po bën,” përfundoi ai, duke iu referuar 21-vjeçarit francez.







