Pas gati dy vitesh zbardhet dyshimi për vrasjen me insulinë: infermieri u arrestua, ndërsa pas krimit fliste për dëshirën e bashkëshortes

Nadir Rossi, infermier 35-vjeçar, është arrestuar në Verona të Italisë, nën dyshimin se i shkaktoi vdekjen bashkëshortes duke i injektuar insulinë. Sipas versionit të hetuesve, ai dyshohet se ia dha hormonin fillimisht në banesë dhe më pas në spitalin ku ajo ishte shtruar, duke e çuar në një episod të rëndë hipoglicemie. Edhe Jessica Dalla Chiara, 32 vjeçe, punonte si infermiere.

Ngjarja ndodhi më 24 qershor 2024. Mediat italiane raportojnë se insulina iu administrua në rrugë intravenoze dhe pa arsye mjekësore, çka i mori jetën 32-vjeçares. Pas vdekjes së saj, bashkëshorti përfitoi dëmshpërblimin e sigurimit të jetës, kontratën për të cilin Jessica e kishte lidhur dy vjet më parë.

Të lidhura

None found

Pas humbjes së bashkëshortes, Rossi ishte paraqitur i dëshpëruar dhe kishte thënë se ajo e kuptonte se gjendja mund të përfundonte tragjikisht. Ai e kishte lidhur këtë me episodin e fundit kur Jessica u nxor nga spitali, pasi pësoi hipoglicemi.

“Ajo më tha: ‘Ja, i kam shkruar kujtimet e mia’. Mendova se po bënte shaka, por nuk ishte kështu… Në vendin e parë të dëshirave që më la gruaja ime është vajza jonë, Aurora. Jessica më porositi të jetoja për të, frytin e dashurisë sonë, dhe kjo është ajo që do të bëj tani e tutje. Në këtë moment shkatërrues, kjo po më jep forcën të vazhdoj përpara pa të, dashurinë time të vetme dhe të madhe”, kishte deklaruar ai. Arrestimi, gati dy vjet pas ngjarjes, u jep tashmë këtyre fjalëve një domethënie tjetër.

Rossi punonte në kompleksin spitalor-universitar të Veronës, por u largua nga puna vitin e kaluar. Sipas informacionit të publikuar, shkarkimi erdhi si pasojë e një procedure të brendshme disiplinore dhe nuk kishte lidhje me hetimin për vrasjen. Ai nuk e çoi vendimin përpara Gjykatës së Punës.

Në njoftimin e Drejtorisë së Policisë së Veronës thuhet se, në nëntor të vitit 2025, infermieri tentoi t’i jepte fund jetës në dhomën e zhveshjes së burrave, pranë urgjencës së spitalit Borgo Roma. Dyshohet se kishte marrë nga kasaforta e repartit, për të cilën ishte përgjegjës, pesë ampula medikamenti me bazë fentanili dhe dhjetë ampula morfine. Kolegët e gjetën pa ndjenja, me një kanulë intravenoze në krah.

Përveç vrasjes, ndaj Rossi-t janë ngritur edhe akuza për tentativë të rënduar vrasjeje, shkatërrim dhe zhdukje të kufomës përmes një kremimi të kryer në mënyrë mashtruese, mashtrim me sigurimet dhe përvetësim të vazhdueshëm të barnave.

Hetimi u hap pas dy sinjalizimeve. I pari erdhi në korrik të vitit 2024 nga vetë kompleksi spitalor-universitar i Veronës. Pas autopsisë së Jessica-s, mjekët arritën në përfundimin se episodet e përsëritura të hipoglicemisë nuk shpjegoheshin nga shkaqe natyrore. Dyshimi ishte se ato mund të ishin shkaktuar nga insulinë e administruar nga jashtë dhe pa qëllim terapeutik.

Një shtysë tjetër për hetimin dhanë prindërit e viktimës, të cilët që në fillim kishin shprehur dyshime të forta e të bazuara për rrethanat e vdekjes së vajzës. Ata ngritën pikëpyetje edhe për nxitimin e dhëndrit në trajtimin e trupit, pasi ai vendosi që Jessica të kremtohej menjëherë pas vdekjes. Në materialet që çuan te kërkesa për arrestimin e 35-vjeçarit përfshihen edhe kërkimet e dyshimta në internet për hipogliceminë, insulinën dhe mbidozën e saj.

Kontrolli i historikut të telefonit të të dyshuarit zbuloi kërkime të posaçme mbi shenjat e hipoglicemisë së rëndë, diagnostikimin diferencial të hiperinsulinizmit dhe metodat toksikologjike mjekoligjore që përdoren për të zbuluar mbidozën e insulinës.

Hetuesit thonë se këto kërkime kishin nisur në prill të vitit 2024, disa javë para se bashkëshortja të shfaqte probleme shëndetësore. Ata e konsiderojnë këtë si një element që mund të mbështesë dyshimin për paramendim. Megjithatë, akuzat mbeten në shqyrtim gjyqësor. Hetimet vijojnë për të sqaruar rrethanat, ndërsa përgjegjësia penale e të dyshuarit do të vendoset nga drejtësia.


Shtuar më 30.10.2026 08:48