
Presidenti Bajram Begaj do të zhvillojë këtë të premte konsultimet me përfaqësuesit e partive politike për përcaktimin e datës së zgjedhjeve vendore të vitit 2027, në një proces që nis me refuzimin e ftesës nga pjesa më e madhe e opozitës.
Takimi i parë është parashikuar në orën 09:00 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste, ndërsa në orën 11:00 në Presidencë do të mbërrijnë përfaqësuesit e Partisë Social-Demokrate, të drejtuar nga Tom Doshi.
Ndërkohë, Partia Demokratike, Partia e Lirisë, Partia Mundësia, Lëvizja Shqipëria Bëhet dhe Lëvizja Bashkë kanë bërë të ditur se nuk do të shkojnë në takim me kreun e shtetit. Theksojmë se ky bojkot nuk vjen si një vendim i përbashkët por është një qëndrim paralel i secilës palë.
Begaj ka thirrur partitë parlamentare në konsultime përpara dekretimit të datës së zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen në pranverën e vitit 2027.
Sipas Kodit Zgjedhor, zgjedhjet duhet të mbahen në një ditë të diel, brenda periudhës 15 prill-15 maj 2027. Afati i fundit për shpalljen e datës është 6 nëntori.
Deri më tani, asnjë nga partitë nuk ka propozuar publikisht një datë konkrete. Muaji maj shihet si periudha më e mundshme për zhvillimin e zgjedhjeve, ndërsa 2 maji përjashtohet pasi përkon me Pashkët Ortodokse. Një nga datat që mbetet në diskutim është 9 maji, që përkon edhe me Ditën e Europës.
