Me arrest shtëpie dhe i armatosur, 41-vjeçari kapet me pistoletë dhe jelek antiplumb në Tiranë

Një 41-vjeçar është arrestuar në zonën e Marikajt, në Tiranë, pasi u kap duke transportuar një armë zjarri, të cilën dyshohet se do ta trafikonte. Në momentin e ndalimit, ai ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, ndërsa gjatë ndërhyrjes ka kundërshtuar me dhunë punonjësit e Policisë.
Policia e Tiranës bëri të ditur se arrestimi u realizua në kuadër të operacionit të koduar “Përfshirja”, të finalizuar nga specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, pas informacioneve të siguruara përmes punës operative.
Në pranga përfundoi shtetasi E. A. (M.), 41 vjeç, banues në Vorë, i cili u ndalua teksa drejtonte automjetin në Marikaj, pavarësisht masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar për veprën penale “Goditjet për shkak të detyrës”.
Gjatë kontrollit fizik, efektivët i gjetën një pistoletë me municion luftarak, e cila dyshohet se do të përdorej për trafikim. Ndërsa gjatë kontrollit në banesën e tij u sekuestruan një jelek antiplumb dhe mbetje të dyshuara të lëndës narkotike kokainë.
Në cilësinë e provës materiale, policia sekuestroi gjithashtu automjetin dhe një telefon celular, që dyshohet se lidhen me aktivitetin e tij.
Ndërkohë, grupi hetimor po vijon punën për dokumentimin e plotë të përfshirjes së 41-vjeçarit në veprimtari të mundshme kriminale.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




