
Milani ka zbuluar detajet e projektit të stadiumit të ri, i cili do të jetë shtëpia e përbashkët e kuqezinjve dhe Interit. Impianti modern, që do të mbajë emrin “Generali Stadium”, do të ketë një kapacitet prej 71.500 spektatorësh dhe pritet të shënojë një kapitull të ri në historinë e dy klubeve milaneze.
Sipas planit, punimet për ndërtimin e stadiumit do të nisin në vitin 2028, ndërsa inaugurimi parashikohet për sezonin 2031-2032, me kushtin që të merren të gjitha miratimet e nevojshme.
Projekti është realizuar nga studiot e njohura arkitekturore “Foster + Partners” dhe “MANICA”. Tribunat do të jenë të ndërtuara në dy nivele, duke rrethuar fushën në një kënd 360 gradë. Ndërkohë, sektorët pas portave, ku pritet të vendosen tifozët ultras, do të jenë me një nivel dhe me pjerrësi prej 37 gradësh, për të krijuar një atmosferë sa më intensive.
Një tjetër element i veçantë është çatia me strukturë të dyfishtë të lakuar, e pajisur me panele diellore dhe teknologji moderne për përmirësimin e akustikës.
Projekti përfshin gjithashtu zhvillimin e një hapësire prej 281 mijë metrash katrorë, me zona të gjelbra, ambiente tregtare dhe hapësira argëtimi.
Kompania “Generali” ka siguruar të drejtat e emërtimit të stadiumit, ndërsa investimi do të realizohet bashkërisht nga pronarët e Milanit dhe Interit, përkatësisht RedBird dhe Oaktree.