
Landfilldi i Bushatit në Qarkun e Shkodrës, parashikohet të jetë destinacioni kryesor për mbetjet e 21 bashkive në të gjithë vendin, të cilat shtrihen në një të tretën e territorit të Shqipërisë. Sipas projektbuxhetit 2027, drejt zonës së menaxhimit të mbetjeve Shkodër do të orientohen jo vetëm bashkitë e veriut, por edhe ato të qarqeve Elbasan dhe Fier, që ndodhen qindra kilometra larg.
Lajmi mëhet i ditur nga Monitor, sipas të cilit, të dhënat tregojnë se 34% e bashkive të vendit që përfaqësojnë gjithashtu një të tretën e territorit të vendit do të depozitojnë mbetjet në Bashkinë e Shkodrës dhe për këtë do të marrin financime shtesë nga buxheti i shtetit.
Në shkrimin e publikuar evidentohet se, përveç problemeve mjedisore në këtë zonë, menaxhimi i mbetjeve në këtë mënyrë do të ketë një kosto të jashtëzakonshme të transportit, psh nga Librazhdi në Shkodër, duke marrë ne konsideratë edhe trafikun e rënduar. Një kamioni që niset nga Përrenjasi me mbetej i duhet të qëndrojë disa orë në trafikun e Elbasanit dhe me tej disa te tjera në Tiranë dhe në Lezhë.
Sipas planit të qeverisë 21 bashki janë përfshirë në zonën e menaxhimit të mbetjeve në Landfillin e Bushatit. Ato përfaqësojnë 34.4% të bashkive të Shqipërisë dhe shtrihen në rreth 9,625 kilometra katrorë, ose afërsisht 33.5% të territorit kombëtar. Në grupin e parë përfshihen bashkitë Malësi e Madhe, Shkodër, Vau i Dejës, Pukë, Fushë Arrëz, Lezhë dhe Kurbin.
Por lista zgjerohet edhe me bashkitë Librazhd, Elbasan, Rrogozhinë, Peqin, Cërrik, Belsh, Përrenjas dhe Gramsh, të cilat sipas dokumentit do të financohen për transportin e mbetjeve drejt zonës së Shkodrës. Të njëjtin destinacion kanë edhe bashkitë Fier, Lushnjë, Roskovec, Patos, Divjakë dhe Mallakastër.
Përfshirja e bashkive të Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut në zonën e menaxhimit të mbetjeve në territorin e Vau Dejësit, ngre pikëpyetje për mënyrën e organizimit të transportit, distancat që duhet të përshkojnë mjetet dhe kostot financiare që do të krijohen për pushtetin vendor, për shkak edhe të kaosit në trafik.
Fondet shtesë për transportin e mbetjeve drejt Landfilldit të Bushatit, do të akordohen në formën e transfertës së pakushtëzuar sektoriale. Shpërndarja sipas bashkive është mbështetur në dy kritere, sasinë vjetore të mbetjeve dhe kostot shtesë të transportit drejt pikave fundore të grumbullimit dhe përpunimit.
Kjo nënkupton se buxheti i shtetit do të mbështesë financiarisht transportin e mbetjeve, por bashkitë do të duhet të kontribuojnë edhe me të ardhurat e tyre për të përballuar kostot.
Përveç Qarkut të Shkodrës, dokumenti përcakton zonën e menaxhimit Tiranë për gjashtë bashki, Krujë, Durrës, Vorë, Kamëz, Shijak dhe Kavajë. Në zonën e Gjirokastrës përfshihen dhjetë bashki, ndërsa gjashtë bashki të tjera janë orientuar drejt zonës së menaxhimit Korçë, thuhet në artikullin e Monitor.




