Në 1/8-at e turneut të Vjenës, Alexander Zverev, eliminoi Tallon Griekspoor-in, numrin 50 në botë në tenis, me rezultatin 6-4, 7-5. Ndeshja zgjati pak më shumë se një orë e gjysmë.
Një sukses special për 29-vjeçarin gjerman, sepse që nga dita e hënë, zyrtarisht do të jetë numri 1 në renditjen botërore, duke kaluar italianin Jannik Sinner. Një parakalim i pritshëm që në momentin që kur u mësua se Sinner nuk do të luante më këtë vit.
Prej së hënës, Zverev do të ketë të paktën 9450 pikë në klasifikim, po aq sa Sinner, por gjermani e kalon, sepse ka një numër më të madh turnesh Grande Slam të fituar (dy ndaj një) për këtë sezon. Zverev bëhet kështu lojtari i 30-të në majën e tenisit të meshkujve që kur është futur klasifikimi Atp në vitin 1973.
Vendi i parë në renditjen botërore është “qershia mbi tortë” i një sezoni të jashtëzakonshëm për Zverev. Përveç se u bë numri 1 për herë të parë, Sasha ka fituar edhe dy trofetë e parë Slam në karrierë: Roland Garros dhe Us Open.
Të jesh në majën e botës është një ndjenjë e jashtëzakonshme, vërtet speciale. Eshtë diçka ndryshe nga fitimi i një turneu, apo një titulli. Të mësosh se me përditësimin e klasifikimit pranë emrit tënd do të shfaqet numri 1 është një ndjenjë vërtet unike.
Sinner është i detyruar të dorëzojë kreun pas 95 javësh si numri 1 në botë.