Bota

Sulm kibernetik ndaj Binance, zhduken 6.3 miliardë dollarë/Kush fshihet?

Binance, bursa më e madhe e kriptomonedhave në botë, u prek nga një sulm i madh kibernetik, me vlerë rreth 6.3 miliardë dollarë (4.7 miliardë paund).

Rreth gjysma e aseteve të përfshira janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se vijon të jetë në duart e hakerëve.

Ngjarja ka ngritur shqetësime të mëdha në tregun e kriptomonedhave, ndërsa dy kompani të specializuara në analizën e transaksioneve digjitale kanë dyshime për përfshirjen e një grupi hakerësh të lidhur me Korenë e Veriut.

Firma e Inteligjencës së blockchain-it, TRM Labs, deklaron se disa elemente të sulmit ndaj Binance ngjajnë me incidente të mëparshme kibernetike që u janë atribuar grupeve të hakerimit nga Koreja e Veriut.

Mes tyre, përmendet sulmi ndaj platformës Bybit vitin e kaluar, ku u vodhën rreth 1.5 miliardë dollarë në kriptomonedha.

Sipas analistëve, sulmi i fundit mund të jetë një prej më të mëdhenjve të regjistruar ndonjëherë në historinë e kriptomonedhave, si për nga përmasat financiare, ashtu edhe për ndikimin e mundshëm në sigurinë e platformave digjitale.

Deri më tani, asnjë grup hakerësh nuk ka marrë publikisht përgjegjësinë. Nga ana tjetër, Binance nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve mbi lidhjet e mundshme të sulmit me Korenë e Veriut. Në një deklaratë për këtë çështje, kompania bëri të ditur se po bashkëpunon me autoritetet përkatëse për identifikimin e autorëve.

Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të konfirmuar identitetin e këtyre kriminelëve dhe për t’i sjellë para drejtësisë, deklaroi Binance.

Hetimet pritet të përcaktojnë mënyrën si u realizua sulmi, identitetin e autorëve dhe nëse asetet e mbetura në duart e hakerëve mund të rikuperohen.