Të gjeturat për rastin e Arlinda Zekajt, Sveçla tregon për masat që po ndërmerren

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se 11 zyrtarë policorë janë suspenduar lidhur me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës, pas gjetjeve të një raporti për veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se raporti, të cilin ia ka dorëzuar kryeministrit Albin Kurti, ka evidentuar shkelje serioze nga zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.
Sipas tij, në mesin e 11 të suspenduarve janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i Hetimeve Rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i Stacionit Policor në Pejë, shefat e sektorëve të Hetimeve dhe Operativës, komandanti i Nënstacionit Policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues të Stacionit Policor në Pejë.
Sveçla bëri të ditur se ndër shkeljet e evidentuara janë mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në zbatimin e urdhrit të dytë, si dhe mosmarrja parasysh e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut ndaj Arlindës.
Sipas tij, nuk janë ndërmarrë as masat e nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore me qëllim të garantimit të sigurisë së saj.
Ministri theksoi se gjetjet e raportit pritet të trajtohen edhe nga Prokuroria, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah fakte dhe përgjegjësi të tjera.
Ai tha se suspendimi i zyrtarëve nuk është i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë ligjore për secilin rast të neglizhencës apo mosveprimit institucional.
"155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë"
Përveç rastit të Arlinda Zekajt, Sveçla bëri të ditur se, me kërkesë të kryeministrit Albin Kurti, është përpiluar edhe një raport i veçantë për rastet aktive të dhunës në familje me rrezikshmëri të lartë, të cilat monitorohen nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, në këtë raport janë evidentuar 155 raste aktive me rrezikshmëri të lartë, për të cilat Policia ka raportuar individualisht lidhur me veprimet dhe masat e ndërmarra. Raporti përfshin edhe rastet e vlerësuara me rrezikshmëri të mesme dhe të ulët.
Ai njoftoi gjithashtu se aktualisht 70 raste janë nën monitorim elektronik, përmes pajisjeve dhe mekanizmave që janë siguruar që nga viti i kaluar.
Në fund, Sveçla tha se hetimi i rastit të Arlindës duhet të shërbejë edhe për identifikimin dhe adresimin e mangësive në procedurat institucionale për trajtimin e rasteve të dhunës në familje dhe mbrojtjen e viktimave.
“Çdo qytetare dhe qytetar që kërkon mbrojtje nga institucionet e Republikës së Kosovës duhet të ketë sigurinë se zëri i tyre do të dëgjohet, raportimi i tyre do të trajtohet me seriozitet dhe jeta e tyre do të mbrohet. Për t’u arritur kjo, duhet i gjithë zinxhiri i institucioneve përgjegjëse të funksionojë. Nuk guxojmë të lejojmë asnjë hallkë që të dështojë”, ka thënë Sveçla. /Telegrafi/











































