Sveçla evidenton shkeljet në zbatimin e urdhrave për mbrojtje: Nuk u zbatuan urdhrat për mbrojtje

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se verifikimet e veprimeve dhe mosveprimeve të Policisë së Kosovës në rastin e Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës, kanë evidentuar dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj, raporton Ekonomia Online.

Sveçla ka thënë se, përmes Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK), janë verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e policisë lidhur me këtë rast, ndërsa raportin për veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe IPK-ja ia ka dorëzuar një ditë më parë kryeministrit Albin Kurti.

Sipas tij, verifikimet e realizuara gjatë 72 orëve të fundit kanë konfirmuar shqetësimet e ngritura më herët dhe kanë nxjerrë në pah mangësi në trajtimin e raportimeve për rrezikun ndaj viktimës.

“Përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, ne këto ditë kemi verifikuar të gjitha veprimet dhe mosveprimet e Policisë së Kosovës. Këto 72 orë kanë qartësuar dhe konfirmuar shqetësimet që kemi ngritur, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e përgjegjësive institucionale për mbrojtjen e jetës së saj. Raportin mbi veprimet e ndërmarra nga Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor i Kosovës ia kam dorëzuar dje kryeministrit Kurti”, ka deklaruar Sveçla.

Ministri ka bërë të ditur se, bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, janë suspenduar 11 zyrtarë policorë. Në mesin e tyre janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë me pozita drejtuese dhe hetues të këtij stacioni.

“Bazuar në gjetjet e evidentuara deri në këtë fazë, dje janë suspenduar 11 zyrtarë policorë, përfshirë drejtorin rajonal të Policisë në Pejë, shefin e hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandantin e stacionit policor në Pejë, zëvendëskomandantin e stacionit policor në Pejë, shefin e sektorit të hetimeve në stacionin policor në Pejë, shefin e sektorit të operativës në stacionin policor në Pejë, komandantin e nënstacionit policor në Vitomiricë dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë”, ka thënë ministri.

Sveçla ka theksuar se gjetjet e raportit, të cilat pritet të trajtohen dhe vlerësohen edhe nga prokuroria, evidentojnë shkelje serioze nga disa zyrtarë policorë dhe pjesëtarë të zinxhirit komandues në Pejë.

Ndër shkeljet e identifikuara, Sveçla ka përmendur moszbatimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrjen parasysh të kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrjen e masave të nevojshme për shtimin e kapaciteteve policore për garantimin e sigurisë së Arlinda Zekajt.

“Ndër shkeljet e identifikuara përfshihen: mosekzekutimi i urdhrit të parë për mbrojtje, vonesa në ekzekutimin e urdhrit të dytë për mbrojtje, mospërfillja e kërkesës për rivlerësimin e rrezikut dhe mosndërmarrja e masave të nevojshme për ngritjen e kapaciteteve policore në funksion të garantimit të sigurisë së Arlindës. Këto janë ndër shkeljet më serioze të evidentuara deri në këtë fazë, ndërsa hetimet e mëtejshme mund të nxjerrin në pah edhe fakte dhe përgjegjësi të tjera”, ka deklaruar ai.

Sveçla kërkon hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore

Ministri ka theksuar se suspendimi i 11 zyrtarëve nuk duhet të konsiderohet përfundim i procesit. Ai ka kërkuar hetim të plotë dhe përcaktim të përgjegjësisë ligjore për të gjithë ata që kanë neglizhuar raportimet dhe paralajmërimet e viktimës lidhur me rrezikun ndaj jetës së saj.

“Dua të bëj të qartë se asnjë suspendim nuk mund të konsiderohet i mjaftueshëm pa një hetim të plotë dhe të mirëfilltë, si dhe pa përcaktimin e përgjegjësisë para ligjit për çdo neglizhencë, për çdo raportim që nuk u mor seriozisht dhe për çdo paralajmërim që Arlinda bëri për rrezikun e jetës së saj, por që nuk mori reagimin e duhur institucional”, ka thënë Sveçla.

Shija e redaktorit

DUKAGJINI fiton për herë të dytë mbështetjen e EVROPËS KREATIVE...

SHTËPIA BOTUESE “DUKAGJINI” ka fituar për herë të dytë mbështetjen e programit “Evropa Kreative” të BASHKIMIT EVROPIAN për botimin e letërsisë evropiane. Ky vlerësim...

“K’cimi i Tropojës” në Zagreb, në prani të kryeministrit kroat...

Shoqata shqiptare “Shkëndija” nga Zagrebi ka prezantuar vallen tradicionale “K’cimi i Tropojës” në Sallën e Koncerteve “Vatroslav Lisinski”, në kuadër të një programi kulturor...

Policia ushtarake e FSK trajnohet nga instruktorë gjermanë për mbrojtje...

Në kuadër të Planit të Bashkëpunimit dypalësh në fushën e mbrojtjes për vitin 2026, ndërmjet Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Kosovës dhe Ministrisë...

Të fundit nga rubrika