
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Tedi Blushi, ka refuzuar ftesën e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj, për konsultim lidhur me caktimin e datës së zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore.
Në një letër drejtuar kreut të shtetit, Blushi argumenton se një konsultim i tillë formal është i papërshtatshëm në një kohë kur vendi po përballet me protesta të studentëve dhe gjimnazistëve, si dhe me reagime për dhunën policore ndaj protestuesve.
Pjesë nga letra e Tedi Blushit:
“U njoha me ftesën tuaj, por e konsideroj të papërshtatshme pjesëmarrjen në një konsultim formal për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, në një moment kur protesta dhe kërkesat legjitime të studentëve dhe gjimnazistëve janë kryeagjenda e Shqipërisë.
Ajo që pritet prej jush është të përmbushni detyrimin kushtetues për caktimin e datës së zgjedhjeve vendore, pa e shndërruar këtë përgjegjësi në një procedurë formale, që mund të përdoret për qëllime propagandistike nga Qeveria dhe Kryeministri Edi Rama, të cilët janë edhe përgjegjësit kryesorë të krizës.
Për këto arsye, ju bëj me dije se nuk do të marr pjesë në një konsultim formal me ju, të shkëputur nga urgjenca kushtetuese dhe kombëtare me të cilën përballet Shqipëria.”, thuhet në letër.