Njëmbëdhjetë zyrtarë të Policisë së Kosovës janë suspenduar pas përfundimeve të raportit që shqyrtoi veprimet dhe mosveprimet policore lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt më 25 tetor. Lajmin e bëri të ditur ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Ministri tha se Inspektorati Policor i Kosovës ka kontrolluar mënyrën si janë trajtuar veprimet dhe mosveprimet e policisë. Raportin për rastin, sipas tij, ia dorëzoi kryeministrit Albin Kurti një ditë më parë.
Të lidhura
None found
Sveçla bëri me dije se shqyrtimi i kryer gjatë 72 orëve të fundit i ka konfirmuar shqetësimet e ngritura më herët. Sipas tij, janë vërejtur mangësi në trajtimin e raportimeve dhe në përmbushjen e detyrimeve institucionale për të mbrojtur jetën e Zekajt.
“Gjatë ditëve të fundit, përmes Inspektoratit Policor të Kosovës, kemi shqyrtuar çdo veprim dhe mosveprim të Policisë së Kosovës. Vlerësimi i këtyre 72 orëve ka qartësuar dhe vërtetuar shqetësimet tona, duke nxjerrë në pah dështime në trajtimin e raportimeve dhe në përgjegjësinë institucionale për mbrojtjen e jetës së saj. Raportin për veprimet e Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit Policor të Kosovës ia dorëzova dje kryeministrit Kurti”, deklaroi Sveçla.
Në mesin e zyrtarëve të suspenduar janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, si dhe zyrtarë të tjerë drejtues e hetues të këtij stacioni.
Ministri renditi edhe emrat e funksioneve të zyrtarëve të suspenduar: “Në bazë të gjetjeve të deritanishme, dje u suspenduan 11 zyrtarë policorë. Në mesin e tyre janë drejtori rajonal i Policisë në Pejë, shefi i hetimeve rajonale në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Pejë, komandanti dhe zëvendëskomandanti i stacionit policor në Pejë, shefi i sektorit të hetimeve dhe ai i sektorit të operativës në këtë stacion, komandanti i nënstacionit policor në Vitomiricë, si dhe katër hetues të stacionit policor në Pejë”, tha Sveçla.
Sipas tij, raporti evidenton shkelje serioze nga disa pjesëtarë të policisë dhe të zinxhirit komandues në Pejë. Gjetjet pritet të shqyrtohen e vlerësohen edhe nga prokuroria.
Ndër mangësitë e konstatuara, Sveçla përmendi moszbatimin e urdhrit të parë për mbrojtje, vonesën në zbatimin e urdhrit të dytë, mosshqyrtimin e kërkesës për rivlerësim të rrezikut dhe mosmarrjen e masave për rritjen e kapaciteteve policore që do të siguronin mbrojtjen e Arlindës.
“Shkeljet e identifikuara përfshijnë moszbatimin e urdhrit të parë për mbrojtje dhe vonesat në ekzekutimin e urdhrit të dytë, mosmarrjen parasysh të kërkesës për rivlerësim të rrezikut, si dhe mungesën e masave për shtimin e kapaciteteve policore në mënyrë që të garantohej siguria e Arlindës. Këto janë disa nga shkeljet më të rënda të konstatuara deri tani, por hetimet e mëtejshme mund të zbulojnë fakte dhe përgjegjësi të tjera”, u shpreh ai.
Sveçla nënvizoi se suspendimet nuk e përmbyllin procesin. Ai kërkoi hetim të plotë dhe përgjegjësi ligjore për këdo që neglizhoi raportimet ose paralajmërimet e viktimës.
“Dua të theksoj se suspendimi, i vetëm, nuk mjafton: duhet të kryhet një hetim i plotë dhe i mirëfilltë dhe të përcaktohet përgjegjësia para ligjit për çdo neglizhencë, çdo raportim të trajtuar pa seriozitet dhe çdo paralajmërim që Arlinda dha për rrezikun ndaj jetës së saj, por që nuk u pasua me reagimin e duhur institucional”, tha ministri.




