Protestuesit largohen nga Qeveria dhe nisen drejt Pejës, kërkojnë drejtësi për Arlinda Zekajn
Protestuesit që u mblodhën para objektit të Qeverisë së Kosovës, derisa ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, po mbanin konferencë për media janë larguar nga Prishtina dhe janë nisur drejt Pejës.
Sipas agjendës së paralajmëruar, protesta në Pejë do të nisë në orën 12:00, në korzon e qytetit, për të vazhduar më pas drejt institucioneve lokale dhe atyre të drejtësisë.
Protestuesit pritet të marshojnë drejt Komunës së Pejës, Qendrës për Punë Sociale, Policisë, Gjykatës dhe Prokurorisë, duke kërkuar përgjegjësi dhe llogaridhënie për rastin e Arlinda Zekajt.
Protesta po organizohet pas vrasjes së saj, rast që ka nxitur reagime të shumta publike dhe ka rikthyer në vëmendje trajtimin institucional të rasteve të dhunës në familje dhe përgjegjësinë e mekanizmave për mbrojtjen e viktimave.
Gjatë ditëve të fundit, protesta kundër vrasjes së grave janë organizuar edhe në qytete të tjera të Kosovës, me kërkesa për drejtësi, siguri për gratë dhe vajzat, si dhe llogaridhënie nga institucionet përgjegjëse. /Telegrafi/






























