Rajoni

Defekt teknik pas rrëzimit të helikopterit ushtarak italian në Bosnjë?

Ka dyshime se një defekt teknik qëndron pas rrëzimit të helikopterit ushtarak italian të misionit EUFOR Althea në Bosnjë-Hercegovinë. 4 viktima dhe 11 të plagosur. Një nga pistat lidhet me bllokimin e njërit prej dy rotorëve ose me ndryshimin e drejtimit të rrotullimit të tij.

Rotori është sistemi i helikave rrotulluese që krijon forcën e nevojshme për ngritjen dhe qëndrimin e helikopterit në ajër.

Mjeti “Chinook” i rrëzuar në Bosnjë ka dy rotorë kryesorë, në pjesët e përparme e të pasme të helikopterit.

Sipas ekspertëve të Aviacionit që analizuan pamjet e aksidentit, “CH-47F Chinook” duket se pësoi anomali gjatë fluturimit, duke hyrë në një rrotullim të pakontrolluar para se të përplasej me tokën.

Mjeti fluturues ishte ngritur vetëm rreth 10 metra nga toka, menjëherë pas nisjes nga aeroporti i Brçkos, kur filloi të rrotullohej dhe më pas u shkatërrua nga përplasja.

Në Ministrinë italiane të Mbrojtjes, dyshimet e para janë për një defekt teknik. Por, autoritetet theksojnë se ende është herët për të përcaktuar shkakun e saktë dhe se hetimi mund të kërkojë ditë, javë apo edhe muaj.

Për zbardhjen e plotë të ngjarjes do të analizohen mbetjet e helikopterit dhe do të merren dëshmitë e 11 të mbijetuarve. Mes tyre janë pilotët, që arritën të shpëtonin.

Nga 15 personat që ndodheshin në bord, humbën jetën rreshterët Simone Ruggia e Claudio Marchesi, si dhe dy vullnetarë të Kryqit të Kuq, Franco Adriano Zecchillo e Laura Procacci.

Nga 11 të plagosurit, asnjë nuk është në rrezik për jetën.

Helikopteri Chinook ishte angazhuar në një fluturim rutinë, në kuadër të misionit europian EUFOR Althea, që ka për detyrë ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Bosnjë.