Kombëtarja e Kosovës U15 e ka përmbyllur pjesëmarrjen në FIFA U15 World Cup&Festival, që u zhvillua në Baku të Azerbajxhanit. Dardanët e rinj në ndeshjen e fundit të këtij turneu triumfuan 6-1 ndaj Burundit. Këtë ndeshje nga afër e përcolli edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi.

Paraprakisht, skuadra e drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani ishte ndalur në çerekfinalen e nivelit D, ku pas ekzekutimit të penalltive pësoi humbje 3-2 nga Republika Dominikane. Koha e rregullt e kësaj sfide ishte mbyllur me rezultat të barabartë 1-1.


Në përgjithësi, Kosova pati një rrugëtim me shumë ndeshje dhe sfida të rëndësishme në këtë festival, që u organizua për herë të parë nga FIFA. Gjatë kësaj ngjarje, Dardanët U15 regjistruan fitore ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa pësuan humbje nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.

Përtej rezultateve, kjo pjesëmarrje ishte e rëndësishme për Dardanët e rinj, të cilët patën mundësinë të përballen me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme të botës dhe të fitojnë përvojë të vlefshme ndërkombëtare.

Përzgjedhësi Ilir Nallbani është shprehur i kënaqur me angazhimin, disiplinën dhe karakterin e treguar nga futbollistët gjatë 12 ditëve të qëndrimit në Baku.

“Ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e mirë, si për trajnerët dhe stafin, ashtu edhe për të gjithë futbollistët e përzgjedhur për këtë udhëtim. Jam shumë i kënaqur, para së gjithash, me angazhimin dhe disiplinën që kanë treguar gjatë 12 ditëve sa kemi qëndruar këtu. Në të gjitha ndeshjet, djemtë kanë treguar karakter dhe një qasje shumë pozitive”, ka theksuar Nallbani.

Ai ka veçuar edhe ngarkesën fizike si një prej sfidave më të mëdha të këtij eventi, pasi skuadrat janë përballur me një kalendar të ngjeshur dhe ndeshje të zhvilluara në mëngjes dhe pasdite.

“Ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për të gjitha ekipet, pasi kemi pasur ndeshje edhe në mëngjes, edhe pasdite. Kjo ka ndikuar shumë edhe te ne. Megjithatë, djemtë, falë motivimit dhe dëshirës që kanë pasur, kanë arritur ta përballojnë edhe lodhjen dhe të japin maksimumin në fushë”, ka deklaruar ai.

Duke folur për paraqitjet e Kosovës dhe eliminimin në çerekfinale të Grupit D, Nallbani ka vlerësuar se skuadra kishte potencial për të shkuar edhe më larg në këtë garë.

“Ndeshjet kanë qenë të vështira dhe edhe shortin e kemi pasur të vështirë që nga fillimi. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe arritur fitore. Edhe në ndeshjen ndaj Republikës Dominikane luajtëm mirë, por në penallti nuk patëm fat. Kështu e ka futbolli. Po ta kishim kaluar atë sfidë, besoj se do të kishim arritur deri në finale të këtij grupi”, u shpreh përzgjedhësi i Kosovës U15.

Në fund, Nallbani ka shprehur kënaqësinë për atë që kanë treguar futbollistët, duke shpresuar që kjo përvojë të shërbejë si motiv shtesë për vazhdimin e punës dhe zhvillimin e tyre në të ardhmen.

“Jam shumë i kënaqur me djemtë. Kanë treguar karakter të jashtëzakonshëm dhe jam vërtet i lumtur për këtë. Shpresoj që pas kthimit në Kosovë të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe punë, në mënyrë që në të ardhmen t’i shërbejnë vazhdimisht Kombëtares dhe të jenë pjesë e zinxhirit të ekipeve tona kombëtare”, ka përfunduar Ilir Nallbani. /Telegrafi/