Një sulm i përmasave të jashtëzakonshme ka goditur Binance, bursën më të madhe në botë për tregtimin e kriptovalutave, duke prekur asete dixhitale me vlerë 6.3 miliardë dollarë. Incidenti po cilësohet si vjedhja më e madhe e evidentuar deri tani në historinë e kriptomonedhave.
Binance njoftoi se rreth 50 për qind e aseteve të prekura janë bllokuar, ndërsa pjesa tjetër dyshohet se ndodhet ende nën kontrollin e sulmuesve. Kompania premtoi se do të kompensojë të gjitha humbjet dhe se po punon me autoritetet për të zbardhur përgjegjësinë për sulmin.
Të lidhura
None found
Hetimet e para sugjerojnë se gjithçka mund të ketë nisur pas komprometimit të laptopit të një inxhinieri të Binance. Përmes kësaj pajisjeje, autorët dyshohet se kanë hyrë në një sistem të brendshëm të kompanisë dhe kanë ekzekutuar tërheqje të paautorizuara.
TRM Labs dhe Chainalysis, dy kompani të specializuara në gjurmimin dhe analizimin e transaksioneve të kriptomonedhave, e kanë lidhur sulmin me grupin TraderTraitor, i cili besohet se vepron në emër të Koresë së Veriut. Check Point thotë se ky grup njihet edhe si Lazarus Group dhe është përfshirë më herët në sulme të mëdha kundër industrisë së kriptovalutave.
Jayant Dave, zyrtar i lartë për sigurinë e informacionit në Check Point, deklaroi se përmasat financiare e bëjnë këtë rast sulmin më të madh të këtij lloji të regjistruar deri më tani. Ari Redbord, drejtues i politikave globale në TRM Labs, e përshkroi ngjarjen si një pikë kthese për sektorin, duke theksuar se një pjesë e madhe e aseteve të vjedhura ende nuk është vënë nën kontrollin e autoriteteve.
Koreja e Veriut prej vitesh akuzohet nga qeveritë perëndimore dhe kompanitë e sigurisë kibernetike se përdor njësi hakerash për të grabitur kriptovaluta. Agjencitë e sigurisë në SHBA dhe Korenë e Jugut kanë deklaruar se paratë e siguruara nga këto sulme mund të përdoren për financimin e programeve bërthamore dhe zhvillimin e raketave të Koresë së Veriut.
Binance tha se po bashkëpunon ngushtë me partnerët e zbatimit të ligjit për të përcaktuar identitetin e autorëve dhe për t’i çuar ata përpara drejtësisë.
Bashkëdrejtori ekzekutiv i kompanisë, Richard Teng, bëri të ditur se analizat fillestare e lidhin nisjen e sulmit me kompjuterin e komprometuar të një inxhinieri. Sipas tij, hakerat hynë në një sistem shërbimi dhe prej aty dërguan transaksione të paligjshme për të nxjerrë asetet. Teng theksoi se bëhej fjalë për një operacion më të ndërlikuar sesa përdorimi i thjeshtë i kredencialeve të një punonjësi, ndërsa deri tani nuk është gjetur asnjë provë se janë ekspozuar çelësat privatë të kuletave digjitale.
Përkohësisht, Binance ka pezulluar tërheqjet e fondeve, deri sa të verifikohet siguria e plotë e sistemeve. Kompania deklaroi se do të publikojë një raport të hollësishëm mbi incidentin pas përfundimit të hetimeve.
Tether dhe Circle njoftuan se kanë ngrirë së bashku rreth 2.4 miliardë dollarë në asete që dyshohet se kanë lidhje me sulmin. Edhe World Liberty Financial, kompani e lidhur me presidentin amerikan Donald Trump dhe familjen e tij, tha se ka bashkëpunuar me partnerë të tjerë për bllokimin e fondeve të vjedhura.
Raportimet për sulmin patën ndikim të menjëhershëm në tregun e kriptovalutave. Bitcoin ra me më shumë se 4 për qind, ndërsa Ethereum dhe Solana regjistruan gjithashtu humbje të ndjeshme. Investitorët shprehën shqetësime të reja për sigurinë e aseteve të ruajtura në platformat e centralizuara. Coinbase deklaroi se shërbimet e saj nuk janë prekur dhe se po ndjek nga afër zhvillimet.
Binance.US, platforma më e vogël e kompanisë që u shërben posaçërisht përdoruesve në SHBA, konfirmoi se nuk është prekur nga incidenti. Binance u themelua në Kinë në vitin 2017 dhe ka mbi 300 milionë përdorues të regjistruar në mbarë botën. Sipas të dhënave të kompanisë, ajo administron më shumë se 160 miliardë dollarë në asete të klientëve. Sulmi i fundit tejkalon grabitjen prej 1.5 miliardë dollarësh ndaj platformës Bybit në vitin 2025, duke rikthyer diskutimet mbi dobësitë e sigurisë në industrinë globale të kriptovalutave.





