Kryeministri Rama njoftoi së fundmi se shumë shpejt do të ketë taksim ekstra për shtëpitë bosh.
Rama argumentoi se rritja e shpejtë ekonomike dhe shtimi i kostove të jetesës krijojnë diferenca sociale që kërkojnë ndërhyrje përmes politikave fiskale. Sipas tij, një nga masat që po shqyrtohet është vendosja e një takse më të lartë për pronarët që blejnë apartamente dhe i mbajnë ato bosh, duke mos i nxjerrë në tregun e qirave.
Përherë ka ekzistuar debati lidhur me një sasi të madhe shtëpish që rrinë bosh, që mund të jenë shitur, ose janë ende në duart e ndërtuesve edhe shumë vite pas përfundimit tw një objekti ndërtimi.
Një tjetër seri të dhënash, të siguruara nga ekofin.al, ajo e kontratave familjare të energjisë nga OSHEE/FSHU, jep një sinjal të ngjashëm për shkallën e banesave që nuk përdoren rregullisht.
Në dhjetor 2025 kishte 1,175,894 kontrata aktive familjare, nga 1,157,926 një vit më parë, një rritje prej 1.55%. Por rreth 20.2%, ose 1 në 5 e këtyre kontratave kishin konsum zero çdo muaj. Përveç tyre, rezultojnë edhe 87,181 kontrata të pezulluara.
Këto të dhëna, përbëjnë një tregues të mospërdorimit të banesave, por që përsëri nuk duhen interpretuar me probabilitet 100% si një numër i drejtpërdrejtë i shtëpive bosh.
Çfarë tregojnë faturat e energjisë?
Të dhënat e OSHEE/FSHU janë veçanërisht interesante sepse matin konsumin real të energjisë në kontratat familjare.
Në vitin 2025, 20.2% e kontratave aktive familjare kishin konsum zero çdo muaj. Në vitin 2024 kjo peshë ishte 20.6%, çka tregon se treguesi ka mbetur në nivele të larta dhe relativisht të qëndrueshme.
Nëse këtij grupi i shtohen edhe 87,181 kontratat e pezulluara, rreth 26% e bazës së kontratave lidhet me një formë mospërdorimi ose pezullimi.
Megjithatë, një kontratë energjie me konsum zero nuk do të thotë automatikisht se banesa është bosh. Ajo mund të jetë një banesë e përdorur vetëm në periudha të caktuara, një pronë e dytë, një apartament sezonal ose një pronë që për arsye të ndryshme nuk ka konsum energjie.
Po kështu, një kontratë e pezulluar nuk mund të përkthehet automatikisht në një banesë bosh. Përvoja tregon se edhe kur ndërtesa nuk ekziston më, kontrata ngelet në status pezulluar dhe nuk del jashtë stokut të kontratave familjare.
Bregdeti ka vakancën më të lartë
Problemi bëhet edhe më i dukshëm në zonat bregdetare.
Sipas analizës, Vlora ka një normë vakance prej 52%, ndërsa Durrësi 44%. Raporti e lidh këtë me karakterin më të madh të këtyre tregjeve si tregje për investime dhe prona sezonale, në krahasim me banesat kryesore.
Kjo është një nga shpjegimet e mundshme të paradoksit të tregut shqiptar: zonat ku po përqendrohet gjithnjë e më shumë kapitali nuk janë domosdoshmërisht zonat ku pronat përdoren gjatë gjithë vitit.
Në bregdet, një pjesë e pronave mund të blihet për përdorim sezonal, për investim, për qira turistike ose si aset për ruajtjen dhe rritjen e kapitalit./ekofin











