Erion Veliaj ka vendosur lirimin nga detyra të dy nënkryetarëve të Bashkisë së Tiranës, Vasilika Vjeros dhe Ilir Mëngrës. Në vend të tyre, ai ka vendosur emërimin e Etleva Bishës në postin e nënkryetares së Bashkisë së Tiranës.
Vendimi për emërimin e Bishës vjen nga burgu i Fierit, ku Veliaj ndodhet pas transferimit nga burgu i Durrësit.
Etleva Bisha është një nga themelueset e FRESSH-it dhe ka një angazhim të gjatë në Partinë Socialiste. Ajo ka qenë pjesë e reformimit të shërbimeve sociale gjatë kohës kur Erion Veliaj drejtonte Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë.
Ndërkohë, Vasilika Vjero ka mbajtur më herët detyrën e drejtoreshës në Bashkinë e Tiranës, gjatë periudhës kur institucioni drejtohej nga Edi Rama.
Lëvizjet në drejtimin e Bashkisë së Tiranës vijnë në një moment përplasjesh mes Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama. Një ditë më parë, Rama e sfidoi publikisht kryebashkiakun, duke i kërkuar autorizimin e tij për shpalljen sekret të vendimit për transferimin nga burgu i Durrësit në atë të Fierit.
Pak ditë më parë, Veliaj kishte dalë në mbështetje të protestave studentore, pjesëmarrësit e të cilave kërkojnë largimin e Ramës nga qeveria.a.b




