
Gjiganti i kriptomonedhave Binance ka bërë të ditur se rreth 6.3 miliardë dollarë në asete digjitale janë prekur nga një sulm kibernetik, i cili mund të jetë më i madhi i regjistruar ndonjëherë në këtë sektor.
Sipas kompanisë, rreth gjysma e aseteve të prekura janë ngrirë, ndërsa pjesa tjetër vijon të jetë në duart e hakerëve. Binance ka deklaruar se do të mbulojë të gjitha humbjet.
Kontrollet paraprake sugjerojnë se sulmi mund të jetë kryer përmes kompjuterit të një inxhinieri të kompanisë, i cili ishte komprometuar dhe u kishte mundësuar sulmuesve të kryenin tërheqje të paautorizuara, shkruan BBC.
Dy kompani të analizës së të dhënave kanë lidhur sulmin me grupin hakerësh koreano-verior TraderTraitor. Binance nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjeve të BBC-së në lidhje me lidhjet e mundshme të incidentit me Korenë e Veriut, por tha: “Ne po punojmë ngushtë me partnerët tanë të zbatimit të ligjit për të konfirmuar identitetin e këtyre kriminelëve dhe për t’i sjellë ata para drejtësisë.”