Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Target 1”. Ai ishte dënuar me më shumë se 7 vite burgim për një sërë veprimtarish kriminale të kryera në Itali. Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se operacioni u organizua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve të siguruara në rrugë operative për vendndodhjen e të kërkuarit.
Gjatë ndërhyrjes në qytetin e Vlorës, u kap shtetasi me inicialet S. M., alias S. P., 38 vjeç, banues në Selenicë. Ai u arrestua me qëllim ekstradimin drejt Italisë. Sipas policisë, Gjykata e Apelit në Bolonjë e ka dënuar 38-vjeçarin me 7 vite, 3 muaj e 15 ditë burgim për disa vepra penale, mes tyre prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, zhvatje dhe tentativë zhvatjeje në bashkëpunim. Ai akuzohet gjithashtu për posedim dhe përdorim të mjeteve zjarrvënëse, konkretisht koktej molotov, në zonën e Riminit, si dhe për falsifikim dokumentesh identifikimi, rikthim të paligjshëm në Itali dhe mbajtje të armëve pa autorizim.
Veprimtaritë kriminale për të cilat është dënuar janë kryer gjatë periudhës 1 shkurt 2015 – 12 shkurt 2020. Nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 4 muaj e 3 ditë burgim. Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
