Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane është arrestuar në qytetin e Vlorës, me qëllim ekstradimin drejt Italisë.
Në kuadër të operacionit të koduar “Target 1”, u arrestua shtetasi me inicialet S. M., alias S. P., banues në Selenicë.
38-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Apelit në Bolonjë e kishte dënuar me 7 vite, 3 muaj e 15 ditë burgim për një sërë veprash penale.
Sipas autoriteteve, ai është dënuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, zhvatje dhe tentativë zhvatjeje në bashkëpunim, si dhe për posedim dhe përdorim të mjeteve zjarrvënëse, konkretisht koktej molotov, në zonën e Riminit, Itali.
Gjithashtu, ndaj tij rëndojnë dënime për falsifikim dokumentesh identifikimi, rikthim të paligjshëm në territorin italian dhe mbajtje të armëve pa autorizim.
Veprat penale janë kryer gjatë periudhës 1 shkurt 2015 – 12 shkurt 2020, ndërsa nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, 38-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 6 vite, 4 muaj e 3 ditë burgim.
Pas arrestimit, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, ka nisur procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë, ku do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit.












