Aktualitet

Ceremoni solemne në nderim të Luan Omarit/Homazhe për akademikun e ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare!

Akademia e Shkencave e Shqipërisë zhvilloi një ceremoni solemne në nderim të akademikut Luan Omari, i ndarë nga jeta në moshën 101-vjeçare.

Në të morën pjesë akademikë, kolegë, studiues dhe ish-bashkëpunëtorë, të cilët vlerësuan figurën e një prej personaliteteve më të rëndësishme të jurisprudencës shqiptare.

Humbja e Luan Omarit u cilësua si një goditje e madhe për shkencën, arsimin dhe kulturën shqiptare, nisur nga kontributi i jashtëzakonshëm që dha në dekada.

Luan Omari ishte anëtar themelues i Akademisë së Shkencave, ku ka mbajtur edhe detyrat e Sekretarit Shkencor e të zëvendëskryetarit. Ai luajti një rol të rëndësishëm në zhvillimin e mendimit juridik shqiptar, në arsimin e lartë dhe në forcimin e shtetit të së drejtës.

I lindur më 10 qershor 1925 në Tiranë, Omari kreu studimet për drejtësi në Beograd dhe Sofje, ndërsa karrierën akademike e lidhi ngushtë me Universitetin e Tiranës. Shërbeu si dekan i Fakultetit të Drejtësisë për afro dy dekada dhe si profesor i Teorisë së Shtetit e së Drejtës Publike.

Përveç veprimtarisë akademike në Shqipëri, përfaqësoi vendin në Komisionin e Venecias pranë Këshillit të Evropës, duke kontribuar në çështjet që lidhen me demokracinë dhe të drejtën kushtetuese.

Omari ishte autor i dhjetëra studimeve, monografive dhe botimeve shkencore mbi historinë e së drejtës shqiptare, sistemin juridik dhe të drejtën kushtetuese. Pas viteve ’90, ka qenë pjesë aktive e diskutimeve dhe proceseve për hartimin e Kushtetutës dhe legjislacionit themelor të vendit.

Për kontributin e çmuar, në vitin 2020 u nderua nga Presidenti i Republikës me titullin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, ndërsa më 2016-ën, Akademia e Shkencave i kishte akorduar Çmimin e Karrierës Akademike.

Gjatë ceremonisë, pjesëmarrësit kujtuan veprën dhe trashëgiminë e tij intelektuale, duke e cilësuar Luan Omarin si personalitet që la gjurmë të pashlyeshme në jurisprudencën, arsimin dhe institucionet tona.