Love & Sex

A po e dëmton jetën tuaj seksuale dëshira për të kënaqur partnerin?/Flasin seksologët!

Kur përpiqeni vazhdimisht të kënaqni partnerin, mund të humbni kontaktin me dëshirat dhe nevojat tuaja. Ekspertët shpjegojnë si ndikon ky model sjelljeje në intimitet dhe si mund të rikthehet lidhja me kënaqësinë personale. Dëshira për t’i bërë të tjerët të ndihen mirë nuk është gjithmonë një virtyt. Në disa raste, përpjekja e vazhdueshme për të kënaqur partnerin mund të kthehet në një pengesë për intimitetin, duke e shndërruar jetën seksuale në një performancë ku rëndësi ka më shumë kënaqësia e tjetrit sesa ajo që ndien dhe dëshiron vetë.

Psikologia klinike Ingrid Clayton dhe seksologia Ali Mezey shpjegojnë se ky model sjelljeje mund të ndikojë te dëshira seksuale, afërsia emocionale dhe lidhja mes partnerëve, madje edhe në marrëdhëniet ku ekziston dashuria dhe siguria. Sipas Clayton, prirja për t’i kënaqur të gjithë, e njohur në psikologji edhe si fawning, mund të jetë një reagim i pavetëdijshëm ndaj stresit, përmes të cilit njeriu përpiqet të ruajë sigurinë dhe të shmangë konfliktet. Kur ndihet i kërcënuar në marrëdhëniet me të tjerët, ai mund të zgjedhë të heshtë, të minimizojë nevojat e veta dhe t’i lërë të tjerët të vendosin.

Kjo sjellje mund të shfaqet edhe në jetën intime. Një person mund të përqendrohet aq shumë te pritshmëritë e partnerit, sa të mos arrijë të kuptojë se çfarë dëshiron vetë, çfarë e bën të ndihet mirë apo kur nuk ndihet rehat. Të shprehësh dëshirat e tua nuk është aq e thjeshtë sa të thuash çfarë mendon. Clayton paralajmëron se ndryshimi i menjëhershëm i një modeli të krijuar prej vitesh mund të shkaktojë ankth dhe pasiguri. Nëse një person përpiqet të vendosë kufij ose të shprehë nevojat e tij dhe përballet me një reagim negativ, mund të bindet edhe më shumë se heshtja është zgjedhja më e sigurt.

Hapi i parë është të mësoni të dalloni ndjesitë tuaja dhe të kuptoni se çfarë ju bën të ndiheni të qetë. Clayton sugjeron praktika të thjeshta, si vendosja e dorës në kraharor, shëtitjet ose aktivitete të tjera që ju ndihmojnë të ndiheni të pranishëm dhe të sigurt. Sipas seksologes Ali Mezey, vëmendja ndaj reagimeve të trupit gjatë prekjes mund të ndihmojë për të kuptuar më mirë emocionet që shfaqen. Ndonjëherë, mpirja emocionale, ndjeshmëria e shtuar ose turpi mund të lidhen me përvoja të mëparshme dhe me mënyrën se si një person e ka përjetuar intimitetin. Shumë njerëz që janë mësuar të vendosin të tjerët në plan të parë nuk kanë pasur mundësinë të kuptojnë se çfarë u sjell kënaqësi. Mezey thekson rëndësinë e njohjes së trupit dhe të dëshirave personale, pa pasur nevojë të përmbushni pritshmëritë e dikujt tjetër apo të ndiheni sikur duhet të performoni.