Kosova U15 e përfundoi pjesëmarrjen në FIFA U15 World Cup&Festival, të mbajtur në Baku të Azerbajxhanit, me një fitore 6-1 kundër Burundit. Takimin e fundit të turneut e ndoqi nga afër edhe Agim Ademi, kryetar i FFK-së.
Më herët, ekipi i drejtuar nga përzgjedhësi Ilir Nallbani u eliminua në çerekfinalen e nivelit D, pasi humbi 3-2 në penallti ndaj Republikës Dominikane. Pas 90 minutave, rezultati ishte 1-1.
Të lidhura
None found
Gjatë festivalit, të organizuar për herë të parë nga FIFA, të rinjtë dardanë patën një kalendar të ngjeshur dhe u ndeshën me përfaqësuese të shumta. Ata fituan ndaj Tahitit, Sierra Leones, Afrikës së Jugut, Maldiveve, Anguilës dhe Burundit, ndërsa u mposhtën nga Estonia, Franca, Republika Dominikane dhe Lituania.
Përvoja në Baku u dha futbollistëve mundësinë të masin forcat me bashkëmoshatarë nga vende të ndryshme dhe të përfitojnë përvojë të çmuar në arenën ndërkombëtare.
Nallbani u shpreh i kënaqur me përkushtimin, disiplinën dhe qëndrimin e lojtarëve përgjatë 12 ditëve të qëndrimit në Baku.
“Ka qenë vërtet një eksperiencë shumë e mirë, si për trajnerët dhe stafin, ashtu edhe për të gjithë futbollistët e përzgjedhur për këtë udhëtim. Jam shumë i kënaqur, para së gjithash, me angazhimin dhe disiplinën që kanë treguar gjatë 12 ditëve sa kemi qëndruar këtu. Në të gjitha ndeshjet, djemtë kanë treguar karakter dhe një qasje shumë pozitive”, ka thënë Nallbani.
Një nga vështirësitë kryesore, sipas tij, ishte intensiteti fizik i aktivitetit. Ekipet luajtën sipas një orari të ngarkuar, me ndeshje si paradite, ashtu edhe pasdite.
“Ka qenë një ngarkesë jashtëzakonisht e madhe për të gjitha ekipet, pasi kemi pasur ndeshje edhe në mëngjes, edhe pasdite. Kjo ka ndikuar shumë edhe te ne. Megjithatë, djemtë, falë motivimit dhe dëshirës që kanë pasur, kanë arritur ta përballojnë edhe lodhjen dhe të japin maksimumin në fushë”, deklaroi ai.
Duke analizuar paraqitjen e skuadrës dhe humbjen në çerekfinalen e Grupit D, përzgjedhësi vlerësoi se Kosova kishte mundësi të avanconte më tej.
“Ndeshjet kanë qenë të vështira dhe edhe shortin e kemi pasur të vështirë që nga fillimi. Kemi zhvilluar shumë ndeshje të mira dhe arritur fitore. Edhe në ndeshjen ndaj Republikës Dominikane luajtëm mirë, por në penallti nuk patëm fat. Kështu e ka futbolli. Po ta kishim kaluar atë sfidë, besoj se do të kishim arritur deri në finale të këtij grupi”, u shpreh trajneri i Kosovës U15.
Në përfundim, Nallbani përgëzoi futbollistët për paraqitjen e tyre dhe uroi që përvoja e fituar t’i shtyjë të vazhdojnë punën e përkushtuar dhe zhvillimin.
“Jam shumë i kënaqur me djemtë. Kanë treguar karakter të jashtëzakonshëm dhe jam vërtet i lumtur për këtë. Shpresoj që pas kthimit në Kosovë të vazhdojnë me të njëjtin përkushtim dhe punë, në mënyrë që në të ardhmen t’i shërbejnë vazhdimisht Kombëtares dhe të jenë pjesë e zinxhirit të ekipeve tona kombëtare”, përfundoi Ilir Nallbani.







