Një 38-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Vlorë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Target 1”. Ai ishte dënuar nga Gjykata e Apelit e Bolonjës në Itali me 7 vite, 3 muaj e 15 ditë burgim për disa vepra penale.
Në pranga ka rënë shtetasi S. M., alias S. P., banues në Selenicë, i cili u kap nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë, pas informacioneve operative për vendndodhjen e tij.
Sipas njoftimit të policisë, 38-vjeçari ishte dënuar në Itali për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike, zhvatje dhe tentativë zhvatjeje në bashkëpunim, posedim dhe përdorim të mjeteve zjarrvënëse (Molotov) në zonën e Riminit, falsifikim dokumentesh identifikimi, rikthim të paligjshëm në Itali dhe mbajtje të armëve pa leje.
Veprat penale janë kryer gjatë periudhës 1 shkurt 2015 – 12 shkurt 2020. Nga dënimi i dhënë nga drejtësia italiane, atij i kanë mbetur për të vuajtur 6 vite, 4 muaj e 3 ditë burgim.
Ndërkohë, Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët italianë, vijon procedurat për ekstradimin e 38-vjeçarit drejt Italisë.




