Ftesës së Presidentit Bajram Begaj për të konsultuar me partitë politike datën e zgjedhjeve vendore të vitit të ardhshëm i janë përgjigjur pozitivisht vetëm Partia Socialiste dhe Partia Socialdemokrate, dy forcat politike të Kuvendit që përbëjnë mazhorancën prej 84 mandatesh. Pjesa tjetër e partive parlamentare që kanë marrë këtë ftesë e kanë refuzuar atë. Takimi i parë nisi në orën 9 me përfaqësuesit e Partisë Socialiste. PS u përfaqësua nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla. Burime nga ky takim pohojnë se PS nuk ka propozuar ndonjë datë konkrete, por Balla i ka theksuar presidentit që në caktimin e saj të ketë parasysh që 2 maji është ditë feste zyrtare.