Barcelona rikthehet në garë për Alessandro Bastoni. Sipas “Mundo Deportivo”, klubi katalanas mund të provojë sërish transferimin e mbrojtësit të Interit që në merkaton e janarit, pasi tentativa e vitit të kaluar nuk pati sukses.
Drejtori sportiv Deco po kërkon përforcime të nivelit të lartë për repartin e mbrojtjes. Bastoni vlerësohet prej kohësh në Barcelonë dhe, megjithëse ndihet si në shtëpi tek Interi, thuhet se do të ishte i gatshëm ta dëgjonte ofertën nga një klub i përmasave të gjigantit katalanas.
Nga ana tjetër, Interi e ka konsideruar gjithmonë mbrojtësin italian të paprekshëm, si në deklarata, ashtu edhe në qëndrimin e klubit. Bastoni ndihet i rëndësishëm në Milano, ndaj largimi i tij, veçanërisht në mes të sezonit, duket i vështirë.
Nëse Barcelona dëshiron ta transferojë, do të duhet ta dëshmojë seriozitetin me një ofertë bindëse, si për Interin, ashtu edhe për vetë lojtarin. Bastoni ka kontratë me Interin deri më 30 qershor 2028.







