Greqia sfidon Turqinë në OKB/ Mitsotakis kundërshton marrëveshjen detare me Libinë: Injorohen ishujt grekë

30/10/2026 12:13

Athina zyrtare ka ngritur sërish tonet ndaj marrëveshjes detare mes Turqisë dhe Libisë.

Duke treguar një hartë para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis u përpoq të shpjegojë atë që Athina e konsideron problemin themelor të marrëveshjes detare mes Turqisë dhe Libisë: sipas tij, vija e përcaktuar mes dy vendeve sillet sikur ishujt grekë mes tyre të mos ekzistonin fare.

Mitsotakis përmendi konkretisht Kretën, Rodosin, Karpathosin dhe Kason, duke thënë se Turqia dhe Libia nuk kanë brigje përballë ose ngjitur që të justifikojnë një kufi të tillë detar. Ai e quajti këtë një përcaktim “diagonal” pa precedent.

“Rregullat që qeverisin detet tona nuk mund të rishkruhen për t’iu përshtatur ambicieve të shteteve të veçanta. I ashtuquajturi Memorandum Turqi–Libi për përcaktimin e kufijve detarë përbën një shkelje flagrante të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare të detit. Është i paligjshëm. Është arbitrar. Dhe sfidon vetë gjeografinë”, tha Mitsotakis.

Athina thotë se marrëveshja turko-libiane, e nënshkruar fillimisht në vitin 2019 dhe e miratuar javën e kaluar edhe nga parlamenti në Libinë lindore, është e paligjshme dhe nuk mund të prodhojë pasoja mbi të drejtat sovrane të Greqisë.

“Turqia dhe Libia nuk kanë brigje përballë ose ngjitur me njëra-tjetrën. Megjithatë, ato janë përpjekur të krijojnë mes tyre një kufi detar artificial. Është absurde. Nuk ekziston asnjë precedent për një përcaktim të tillë diagonal”, shtoi kryeministri grek.

Por Ankaraja e kundërshton plotësisht këtë interpretim. Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se reagimet kundër marrëveshjes nuk kanë bazë legjitime dhe se Turqia është e vendosur të neutralizojë këdo që përpiqet ta pengojë në arritjen e objektivave të saj.

Edhe në Këshillin e Sigurimit, përfaqësuesi turk iu përgjigj Athinës se një hartë mund të paraqesë pretendimet e një shteti, por nuk mund të vendosë se kush ka të drejtë. Në krah të Greqisë për këtë çështje kanë shprehur kundërshtime Egjipti, Bahreini dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Një çështje tjetër që ka ngritur kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis në qendër të debatit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së ishte siguria e lundrimit tregtar, nga Deti i Zi deri në Detin e Kuq, disa orë pasi një anije tregtare në pronësi të një kompanie greke u godit nga dronë dhe u fundos në Detin e Zi, pranë brigjeve të Bullgarisë.

Top Channel