Një 19-vjeçar u arrestua nga Policia e Tiranës, pasi u identifikua nga kamerat e sigurisë duke thyer xhamat e godinës së Gjykatës Kushtetuese, gjatë protestës në kryeqytet, të enjten e një dite më parë.

Orjan Cishkeku, me banim në Dibër, u pa nga një kamer sigurie të gjykatës të marrë nga policia, teksa dëmton me hekur godinën e institucionit.

Pas incidentit, blutë mundën ta arrestojnë pak metra më tutje në bulevard

Ndërkohë, 5 të tjerë po hetohen në gjendje të lirë për shkatërrim të pronës, prishje të qetësisë publike, kundërshtim të policisë dhe pengimin e qarkullimit gjatë tubimit të djeshëm.

Njoftimi i policisë:

Tiranë

Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale të kryera nga shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me veprimet e kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar dje:

-u arrestua në flagrancë shtetasi O. C., 19 vjeç, banues në Dibër, pasi dyshohet se ka thyer me sende te forta, xhamat e dritareve të godinës së Gjykatës Kushtetuese;

-u proceduan në gjendje të lirë 5 shtetas, autorë të dyshuar të veprimeve të kundërligjshme gjatë këtij tubimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale "Shkatërrimi i pronës”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “ Prishja e qetësisë publike”, “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse”.

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë