Gazmend Hoxha ka dhënë dorëheqje nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës, në kohën kur ky institucion po përballet me kritika pas vrasjes së Arlinda Zekajt dhe dyshimeve për dështime në trajtimin e rasteve të dhunës ndaj saj.
Kryeministri Albin Kurti ka pranuar të premten, më 30 tetor, kërkesën e Hoxhës për dorëheqje dhe e ka liruar atë nga kjo detyrë.
Dorëheqja vjen pas rekomandimit të Inspektoratit Policor të Kosovës për suspendimin e 11 zyrtarëve policorë, në kuadër të hetimit të veprimeve dhe përgjegjësive të policisë në rastin e Arlinda Zekajt.
Ndërkohë, pas propozimit të ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, Kurti ka caktuar Fehmi Hotin ushtrues detyre të drejtorit të përgjithshëm të Policisë së Kosovës.
Në njoftimin e Qeverisë thuhet se vlerësohet kontributi dhe angazhimi i Hoxhës gjatë mandatit të tij në krye të Policisë.