Ulja e TVSH-së nga 20% në 6% për 54 produkte ushqimore të shportës pritet t'i kushtojë buxhetit të shtetit rreth 150 milionë euro në të ardhura. Shifra është bërë publike nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në kuadër të ndryshimeve të propozuara në Paketën Fiskale 2027.
Sipas Tatimeve, ulja e taksës për ushqimet bazë synon të lehtësojë shpenzimet e familjeve shqiptare, veçanërisht në kushtet e rritjes së kostove të ushqimeve.
“Ulja e TVSH në 6% për 54 produkte të shportës me impakt rreth 150 milionë euro, një orientim social i politikave fiskale me qëllim rishpërndarjen e të ardhurave për të ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë. Një hap përpara për një administrim fiskal më të drejtë, që merr në konsideratë rritjen e kostove të ushqimeve të familjeve shqiptare.
Kjo masë vendos në fokus qytetarët dhe nevojat e përditshme të familjeve, duke sjellë një lehtësim të rëndësishëm në konsumin familjar”, thuhet në njoftimin e Tatimeve.
Nga ulja e TVSH-së do të përfshihen produkte si mishi, peshku, bulmeti, vezët, mielli, orizi, vaji, frutat, perimet dhe ushqimet për foshnjat.
Megjithatë, ulja e TVSH-së nuk nënkupton automatikisht një ulje me 14% të çmimeve në dyqane dhe supermarkete. Ndikimi te çmimi përfundimtar do të varet nga mënyra se si bizneset do ta pasqyrojnë ndryshimin e taksës.
Lista e plotë e 54 produkteve që do të përfitojnë nga norma e reduktuar e TVSH-së do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.











Komente
Komento