Friday / October 30 / 2026
Revista Monitor Logo
hamburger menu icon

mbyll

close icon
Ads
Bota Europa

BE do të nxjerrë në treg 20.5 mln fuçi naftë, rritet frika për furnizimin gjatë dimrit

Share Share Icon

Njëmbëdhjetë vende të Bashkimit Europian janë angazhuar të nxjerrin në treg 20.5 milionë fuçi naftë për automjete nga rezervat strategjike deri në fund të janarit 2027, ndërsa paqëndrueshmëria e vazhdueshme në Lindjen e Mesme po shton shqetësimet për furnizimin me karburante përpara dimrit, sipas një dokumenti të siguruar nga Euronews.

Belgjika, Danimarka, Franca, Gjermania, Greqia, Italia, Lituania, Luksemburgu, Holanda, Portugalia dhe Suedia kanë rënë dakord të nxjerrin në treg sasi të tjera nafte, pas deklaratës së udhëheqësve të G7-s për sigurinë energjetike dhe thirrjes urgjente për veprim nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë (IEA).

“Ne, vendet anëtare të Bashkimit Europian që kemi nënshkruar këtë deklaratë dhe që jemi pjesë e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë (IEA), kemi ndërmarrë dhe po ndërmarrim veprime vendimtare për të rritur furnizimin me naftë bruto dhe produkte të rafinuara në afat të shkurtër, përmes nxjerrjes në treg të sasive të konsiderueshme nga rezervat strategjike, përfshirë naftën për automjete”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Nisma u prezantua nga ministri francez i Energjisë, Roland Lescure, gjatë takimit të ministrave të Energjisë në Luksemburg, më 29 tetor.

Në këtë takim u bë e ditur edhe nxjerrja në treg e 42.6 milionë fuçive naftë bruto dhe produktesh të rafinuara gjatë muajit mars, në kuadër të një veprimi të përbashkët të koordinuar nga IEA, me seli në Paris.

Pothuajse gjysma e produkteve të rafinuara janë naftë për automjete, një treg që grupi i monitorimit të naftës pranë Komisionit Europian e ka përshkruar si një treg ku furnizimi “mbetet i kufizuar”.

Ndërsa Brukseli këmbëngul se nuk parashikohen “mungesa fizike” të karburanteve, komisioneri europian për Energjinë, Dan Jørgensen, argumentoi se rritja e jashtëzakonshme e çmimeve do të përfundojë duke ua bërë karburantet të papërballueshme shtresave më të cenueshme të popullsisë.

Nafta bruto Brent tregtohej me 112 dollarë për fuçi më 20 tetor, nga niveli prej 40 dollarësh përpara luftës.

Bashkimi Europian është i ekspozuar ndaj ndërprerjeve të furnizimit me naftë për automjete në tregjet e produkteve të rafinuara, të cilat ndikojnë në transportin rrugor, transportin e mallrave, bujqësinë dhe industrinë.

Nxjerrja në treg e rezervave strategjike, nën presionin e administratës amerikane, mund të ndihmojë në rritjen e menjëhershme të ofertës dhe në zbutjen e presioneve në treg.

Megjithatë, analistët e konsiderojnë këtë një masë të përkohshme dhe jo një zgjidhje për dobësitë strukturore të sistemit energjetik të Bashkimit Europian.

Brukselit i kërkohet të forcojë mbikëqyrjen e përdorimit të rezervave

Njëmbëdhjetë qeveritë i kërkuan Komisionit Europian të koordinojë monitorimin përmes grupit të tij të mbikëqyrjes së tregut të naftës.

Ato kërkojnë që Brukseli të mbledhë të dhëna mujore mbi sasitë e nxjerra nga rezervat, llojet e produkteve dhe afatet e furnizimit.

Qëllimi është t’u ofrohet tregjeve globale një pasqyrë më e qartë e furnizimeve shtesë dhe të ndihmohen qeveritë të koordinojnë reagime të mëtejshme, nëse kushtet përkeqësohen. Deklarata thekson gjithashtu rëndësinë e industrisë europiane të rafinimit të naftës.

Lufta e zgjatur në Lindjen e Mesme, përfshirë sulmet ndaj rafinerive në vendet e Gjirit, si dhe goditjet ukrainase ndaj rafinerive ruse, kanë ushtruar presion të mëtejshëm mbi një treg global të naftës për automjete, ku furnizimi ishte tashmë i kufizuar, duke nxitur rritjen e çmimeve të energjisë.

Qeveritë e vendeve të BE-së kërkojnë që grupi i monitorimit të naftës, i drejtuar nga Komisioni Europian, të mbikëqyrë prodhimin e rafinerive dhe të nxisë prodhuesit të rrisin kapacitetet, aty ku është e mundur.

Komisioni Europian ka nisur së fundmi një dialog strategjik me rafineritë europiane dhe prodhuesit e karburanteve, me synimin për të forcuar sigurinë e furnizimit.

Duke marrë parasysh përmasat e ndërprerjeve në treg, Brukseli pranoi se Bashkimi Europian ka nevojë për rafineri funksionale, të afta për ta shndërruar naftën bruto në produktet që konsumon ekonomia e tij.

Përdorimi i rezervave strategjike mund të ndihmojë në kapërcimin e mungesave të përkohshme, por vetëm për një periudhë të shkurtër.

Analistët argumentojnë se rezervat emergjente të naftës nuk mund të kompensojnë ndërprerjet e kapaciteteve të rafinimit apo të zinxhirëve ndërkombëtarë të furnizimit.

FuelsEurope, organizata që përfaqëson industrinë europiane të rafinimit të naftës, deklaroi se Bashkimi Europian ka nevojë për një “qasje që mbron konkurrueshmërinë e industrisë së tij të rafinimit”. Organizata i kërkoi gjithashtu Brukselit të krijojë kushtet e nevojshme për investime që do të mundësonin transformimin e kësaj industrie.

Progresi i përgjithshëm pritet të shqyrtohet në takimin e ministrave të Energjisë të Bashkimit Europian më 10 dhjetor, duke u dhënë atyre mundësinë të vlerësojnë zbatimin e masave përpara afatit të janarit. / Euronews

Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Ekskluzive Monitor Top 1,000

Publikohen për herë të parë treguesit financiarë të 1000 kompanive më të mëdha në vend. Renditja e grupeve kryesore!

Eksploro Top List
Live Now

Lajme të Ngjashme

Hakerat vjedhin 6.3 miliardë dollarë nga Binance, grabitja më e madhe e kriptomonedhave në histori

Hakerat kanë vjedhur 6.3 miliardë dollarë nga Binance, platforma më e madhe në botë për shkëmbimin e kriptomonedhave, në një sulm rekord që analist...

3 hours më parë 6 Min Lexim

Nafta drejt muajit të katërt me rritje çmimesh, sulmi në Hormuz shton frikën për furnizimet

Çmimet e naftës u rritën sërish të premten, duke shkuar drejt muajit të katërt radhazi me shtrenjtim, ndërsa sulmet ndaj transportit detar dhe infr...

3 hours më parë 4 Min Lexim
Ads
collaps icon

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS! Regjistrohu Falas!

Rrisni limitin e artikujve në 400 në muaj FALAS!

Si përdorues i paregjistruar, mund të lexoni vetëm 200 artikuj në muaj. Mund ta rrisni këtë limit duke krijuar një llogari FALAS në faqen tonë.

Regjistrohu FALAS!