Policia e Lezhës ka identifikuar një prej autorëve të dyshuar të grabitjes me armë zjarri të ndodhur më 31 gusht 2021 në Rrugën e Kombit, në territorin e Mirditës. Bëhet fjalë për një 36-vjeçar me inicialet N. K., banues në Pukë, ndaj të cilit Gjykata e Lezhës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”. Ai dyshohet se mori pjesë në ngjarjen kur shtetasit A. K. iu vodh një shumë parash nën kërcënimin e armës së zjarrit.
Identifikimi i 36-vjeçarit u bë pas hetimeve të thelluara të kryera nga Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Pasurisë pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë. Gjatë hetimeve është identifikuar edhe një person tjetër, i dyshuar si i përfshirë në grabitje, por policia nuk ka dhënë detaje të tjera për të, për arsye hetimore.
Forcat e rendit njoftojnë se puna vijon për kapjen e 36-vjeçarit, për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në grabitje. Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

