Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Sofia Moreira de Sousa gjatë një takimi në Elbasan u ndal edhe te protesta disamujore që po mbahet në kryeqytet, duke e cilësuar dhunën e ushtruar nga policia si të papranueshme, ndërsa theksoi domosdoshmërinë që institucionet të kenë kapacitetet e duhura, për të dëgjuar dhe zgjidhur shqetësimet e qytetarëve.
“Kemi shumë punë për të bërë të gjithë së bashku: politikanët, nëpunësit civilë dhe qytetarët në përgjithësi. Detyra jonë është të forcojmë kapacitetet e institucioneve demokratike për t’iu përgjigjur shqetësimeve të qytetarëve, në mënyrë që ato të mos përshkallëzohen në akte dhune në rrugë. Gjithashtu, duhet të angazhohemi sërish me të rinjtë, shoqërinë civile dhe të gjithë aktorët e tjerë, për të shpjeguar rregullat e funksionimit të demokracisë. Shkatërrimi i pronës publike dhe private dhe cenimi i rendit publik nuk janë mënyra për të trajtuar këto shqetësime apo për të luftuar për kauzat që besojmë. Ka mënyra dhe hapësira të përshtatshme për të mbrojtur bindjet tona dhe për të kërkuar atë që u nevojitet qytetarëve. Mënyra më e mirë për t’iu përgjigjur shqetësimeve të tyre është, edhe një herë, përmes institucioneve. Dhe në këtë drejtim, bashkitë dhe autoritetet vendore luajnë gjithashtu një rol të rëndësishëm.”, tha Moreira de Sousa.
I pranishëm në aktivitet, bashkëkryetari i Komitetit të Përbashkët Konsultativ CoR-Albania, Antonio Mazzeo, veç reformës territoriale dhe protestës, u ndal edhe te transferimi i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj në Burgun e Fierit.
“Duhet të them se ne si përfaqësues të autonomive vendore, po e ndjekim me shumë vëmendje atë që po ndodh aktualisht me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, duke ritheksuar rëndësinë e respektimit të plotë të procesit të rregullt ligjor dhe të pavarësisë së gjyqësorit. Besoj se solidariteti dhe demokracia janë dy vlera themelore, por po aq e rëndësishme është edhe aftësia e institucioneve për të ruajtur dhe përfaqësuar të gjithë qytetarët.”, pohoi Mazzeo.
Deklaratat e dy ambasadorëve u bënë gjatë takimit të katërt të Komitetit Konsultativ CoR-Shqipëri, ku në Elbasan u diskutua mbi rolin e pushtetit vendor në Integrimin Europian.
