BE dënon dhunën në protesta, ambasadorja De Sousa: Problemet të adresohen tek institucionet demokratike

Dhuna gjatë protestave në kryeqytet dhe sulmet ndaj pronës private si dhe institucioneve duhet të ndalojnë. Kështu u shpreh ambasadorja e BE-së në Tiranë, Sofia Moureira de Sousa, e cila u shpreh se qytetarët duhet të adresojnë shqetësimet e tyre në institucionet përkatëse.
“Kjo nuk duhet të ndodhë në vende ku ne mbrojmë demokracinë tonë. Por teksa dhuna nuk duhet të ndodhë, problemet të cilat hasin qytetarët duhet të adresohen në institucione demokratike, të cilët kanë detyrën dhe kapacitetet ku gjithashtu duhet të faktojnë që janë të aftë në adresimin e shqetësimeve”, tha ambasadorja.
Për të arritur në një zgjidhje, diplomatja e unionit, kërkoi që ekzekutivi të dëgjojë qytetarët.
“Kështu që kemi goxha punë për të bërë të gjithë, politikanë, administrata por edhe vetë qytetarët ku pika e parë është forcimi i institucioneve demokratike. Dhe gjithashtu duhet më tepër komunikim me rininë, me shoqërinë civile, me të gjithë në mënyrë që t’ua shpjegojmë rregullat dhe ligjet e një vendi demokratik. Ata duhet ta kuptojnë se demokracia nuk ndërtohet duke dëmtuar pronat private dhe për të sulmuar pikërisht këto institucione të cilat adresojnë problemet e tyre”, tha ambasadorja.
Gjatë takimit të katërt të Komitetit Konsultativ të rajoneve europiane me Shqipërinë, bashkëkryetari i këtij komitetit Antonio Mazzeo, preku edhe çështjen e kryebashkiakut Veliaj, e cila sipas tij kërkon një zgjidhje.
“Sa i përket Z. Veliaj, theksoj rëndësinë e një procesi të drejtë dhe pavarësinë e gjyqësorit. Kujtoj Raportin e Kongresit të Pushtetit Lokal Rajonal të Këshillit të Europës I cili vë në dukje praktikën e tejzgjatur të paraburgimit për kryetarët e bashkive”, tha Mazzeo.
Ata gjithashtu vunë në dukje se reforma territoriale duhet të ketë në baze të saj funksionet dhe detyrat e pushtetit vendor dhe jo interesat elektorale.




