Një 36-vjeçar nga Puka është identifikuar dhe shpallur në kërkim nga policia si njëri prej autorëve të dyshuar të grabitjes me armë zjarri, të ndodhur më 31 gusht 2021 në Rrugën e Kombit, në Mirditë.
Gjatë ngjarjes një personi iu vodh një shumë parash nën kërcënimin e armës. Gjykata e Lezhës ka caktuar ndaj 36-vjeçarit Ndrecë Kola, masën e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa policia vijon punën për kapjen e tij. Hetimet kanë identifikuar edhe një person tjetër të dyshuar për përfshirje në ngjarje.
Njoftimi i policisë:
DVP Lezhë/Identifikohet dhe shpallet në kërkim njëri nga autorët e dyshuar të vjedhjes me armë zjarri, në gusht të vitit 2021, në Rrugën e Kombit, në Mirditë.
Sektori për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Krimeve të Pasurisë, të DVP Lezhë, si rezultat i hetimeve të thelluara në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, ka bërë të mundur identifikimin e shtetasit N. K., si njëri prej autorëve të dyshuar të ngjarjes së ndodhur më datë 31.08.2021, në Rrugën e Kombit, në Mirditë, ku shtetasit A. K. iu vodh një shumë parash në kërcënimin e armës së zjarrit.
Në vijim të hetimeve, Gjykata e Lezhës i ka caktuar shtetasit N. K., 36 vjeç, banues në Pukë, masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Gjithashtu, gjatë hetimeve është identifikuar edhe një shtetas tjetër, i dyshuar i përfshirë në këtë ngjarje, po për arsye hetimore, nuk bëhen me dije të dhëna të tjera.
Vijon puna për kapjen e shtetasit N. K., për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve të tjerë të mundshëm.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.


