
Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar disa nga premtimet ekonomike të forcës politike që drejton, duke kritikuar Paketën Fiskale 2027 të qeverisë Rama.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u zotua se në rast se PD vjen në pushtet, asnjë taksë në Shqipëri nuk do të jetë më e lartë se 12.5%. Sipas tij, ky kufi do të zbatohet për të gjitha taksat, përfshirë TVSH-në dhe taksën mbi punën, si për punëdhënësit, ashtu edhe për punëmarrësit.
Një tjetër premtim lidhet me produktet e shportës bazë. Berisha deklaroi se qytetarëve do t’u rimbursohet 100% e TVSH-së për këto produkte, përmes disbursimit të shumave në llogaritë bankare ose formave të tjera të kompensimit.
Ai sqaroi se rimbursimi do të zbatohet për një grup mallrash të përdorimit të përgjithshëm, ndërsa theksoi se politika fiskale e propozuar nga PD-ja nuk do të ndërhyjë në konkurrencën mes bizneseve.
Gjatë fjalës së tij, Berisha u bëri thirrje bizneseve të reagojnë ndaj politikave fiskale të qeverisë dhe të përfshihen në protesta. Ai e cilësoi trajtimin e biznesit nga qeveria si të papërgjegjshëm, ndërsa paralajmëroi se Partia Demokratike do të ndiqte një politikë tjetër fiskale nëse merrte drejtimin e vendit.
Pjesë nga fjala e Sali Berishës:
“Unë jam këtu për të garantuar shqiptarët se Partia Demokratike, në votëbesimin e tyre, në qeverisjen e saj, nuk do të ketë kurrë taksë mbi 12.5%.
Në Republikën e Shqipërisë nuk do të ekzistojë asnjë taksë mbi 12.5%. Më ulët po, por taksat më të larta, TVSH, taksa e punës për punëdhënësin, për punëmarrësin e të tjerë, do të jenë 12.5%. Jo më shumë se 12.5%.
Kurse për shportën do të kompensohet 100% TVSH-ja e çdo malli të saj. Do t’i disbursohet në llogaritë bankare të çdo qytetari ose do gjendet mënyra tjetër se si t’i dorëzohen atij.
Ne nuk do të ndërhyjmë në konkurrencën, por ne do të kompensojmë qytetarët për të gjitha, ndonëse jemi shprehur se TVSH-ja për ushqimet nuk do jetë kurrë kjo që është, por pavarësisht nga ajo, do të ketë rimbursim të plotë të TVSH-së për një sasi mallrash të përdorimit të përgjithshëm për qytetarët shqiptarë.
Për të gjithë të tjerët, nuk mund të ketë taksë mbi 12.5% në territorin e Shqipërisë.
Ndaj dhe ftoj bizneset të reagojnë. I ka trajtuar si një sulltan mesjetar në mënyrë të pabesë, të papërgjegjshme. Është koha t’i japim përgjigje dhe bizneset kanë shumë në dorë.
Duhet të kalojnë në një rezistencë, në reagime, nuk mund të sillet kështu një qeveri. Vetëm një qeveri organizatë kriminale i lejon vetes masa të tilla.”