Nga Boldnews.al
Në ligjin për funksionimin e Prokurorisë thuhet se “Prokurorët ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të pavarur, gjatë hetimit dhe përfaqësimit të akuzës në gjykim”. Sipas këtij përcaktimi, çdo prokuror, tërësisht i pavarur nga çdo koleg i tij, ka të gjithë hapësirën të vlerësojë nëse një i dyshuar/i pandehur duhet të arrestohet apo të hetohet në gjendje të lirë.
Por, kemi një situatë, kur i njëjti prokuror, fillimisht kërkon arrest me burg për një zyrtar të lartë, por kjo i refuzohet nga autoriteti që e ka këtë mundësi. Më pas, i njëjti prokuror, kur rrethanat e këtij zyrtari rëndohen më shumë, heziton të kërkojë sërish arrestimin
*
Po flasim për rastin e ish-zv.kryeministres dhe ish-ministres së Infrastrukturës, Belinda Balluku, e marrë e pandehur për akuza të rënda, nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë në shumë raste, tek fshehja e pasurisë e pastrimi i parave.
Prokurori është Dritan Prençi, i emëruar në Prokurorinë e Posaçme që në fillimet e këtij institucioni, në 2019. Titullari i tij është Klodian Braho, i cili mori detyrën në 18 dhjetor 2025, vetëm dy ditë, pasi prokurori i çështjes dhe drejtuesi i mëparshëm, Altin Dumani, nënshkruan kërkesën drejtuar Parlamentit për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetes Belinda Balluku.
Në atë kohë, ndaj Ballukut rëndonin dyshime për pak vepra penale. Parlamenti, i urdhëruar nga Edi Rama, e refuzoi kërkesën e SPAK-ut dhe u bë streh e korrupsionit. Sot, mbi ish-numrin 2 të qeverisë, dyshimet janë kthyer në akuza zyrtare dhe numri i tyrë është shumëfishuar. Por, ajo po shkon drejt gjykimit në gjendje të lirë.
Atëherë çfarë ka ndryshuar? Pse nuk ruhet i njëjti standard si në rastet e zyrtarëve të tjerë ose dhe në rastin konkret ashtu si u nis.
Mos vallë prokurori i Spak-ut ështe intimiduar, shantazhuar, përkëdhelur apo ledhatuar nga e pandehura? Apo mos vallë prokurori i Spak-ut ështe një nëpunës si gjithë të tjerët në këtë vend i zotit Rama dhe ky i fundit për shkak të situatës që ndodhet nuk do ta shesi zonjën Balluku?!
Natyrisht, qënia në liri nuk e bën më të pafajshme dhe, nëse akuzat ndaj saj vërtetohen në gjykatë, zonja Balluku do të kalojë një pjesë të jetës së saj pas qelive të burgut pjesën e mbetur të jetës së saj.
Por si thotë populli “Si duken bathët janë larg Pashkët”. Përderisa u zbyth Spak-u pse jo dhe GjKKO-ja të mos zbythet.
Por, problemi nuk është tek emrat e përveçëm të prokurorëve apo të personave të akuzuar. Aktualisht, ka një problem që po majiset gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më fort-standardet e ndryshme që po ndjek Prokuroria e Posaçme. Bëhet fjalë për standarde, që ky institucion vetë i ka vendosur në raste të mëparshme, edhe më minore se sa ato që po përballet sot Balluku.
Lista e zyrtarëve të lartë e të të zgjedhurve vendor që kanë provuar prangat, pas hetimeve të SPAK-ut, është e konsiderueshme.
Kryebashkiakët e Lushnjes, Fushë-Arrëz-it, Himarës, konkretisht Fatos Tushe, Fran Tuci e Jorgo Goro, u arrestuan për “shpërdorim detyre”. Ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, u arrestua për “shpërdorim detyre” e “korrupsion pasiv”.
Kryetari në detyrë i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, gjithashtu është i arrestuar për “korrupsion pasiv”, “fshehje të pasurisë” e “pastrim parash”. Mbi ish-zv.kryeministrin Arben Ahmetaj, ekziston një urdhër-arresti, ende i pazbatuar, për akuza të ngjashme me Ballukun, por disa herë më pak në sasi se sa ndaj saj.
*
“Mefshtësia” e SPAK-ut nuk mund të shihet e shkëputur nga konteksti aktual politik. Qeveria, më konkretisht kryeministri Edi Rama, po përballet me një krizë të thellë besimi publik. Prej javësh e muajsh, të rinj të revoltuar kërkojnë dorëheqjen e tij, për shkak të korrupsionit që ka përfshirë në mënyrë kapilare çdo njësi qeverisëse.
Belinda Balluku konsiderohet si rasti më tipik i simbolit, por edhe i pandëshkueshmërisë së korrupsionit të lartë në Shqipëri.
Eurodeputetë dhe kongresmenë amerikanë, struktura që kanë mbështetur hapat e demokracisë dhe drejtësisë në Shqipëri, po kërkojnë gjithnjë e më shumë llogari tek drejtuesit institucionalë në Bruksel e Uashington të shprehen nëse zhvillimet në Shqipëri po ecin drejt forcimit të shtetit ligjor apo në anën e kundërt.
Qytetarët e zemëruar në shesh janë një sinjal ndaj të gjithë sistemit, por sigurisht piknisja është Rama Balluku.
Në këtë kontekst, një kërkesë e Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Belinda Ballukut, mund të vinte në vështirësi serioze pushtetin e Edi Ramës. Ai mund të gjente sërish artifica për të refuzuar arrestimin e bashkëpunëtores së tij të ngushtë, që ka po aq pushtet, sa edhe kur ishte në detyrë. Por ata të Spak-ut treguan që u mungon shtylla kurrizore në të tilla raste.
Por, si rregull, zhvillimet politike nuk duhet të hyjnë aspak në radarin e SPAK-ut. Prokurorët nuk duhet të kenë asnjë interes se çfarë ndodh me pushtetin e Ramës, nëse ata kërkojnë arrestimin e Ballukut. Përballë tyre është një zyrtare shumë e lartë, e cila, po sipas hetimeve të tyre, ka kryer veprat penale shumë të rënda, të cilat, për nga niveli sasior e cilësor, qëndrojnë shumë më lart se çdo rast paraardhës që kanë trajtuar deri më tani.
Ata thjesht duhet të veprojnë njësoj siç vepruan me Ilir Metën me Erion Veliajn asgjë më shumë asgjë më pak.
*
SPAK-ut i duhet pranuar një meritë-në një vend si Shqipëria, shkakton me të vërtetë bujë hetimi dhe akuzimi i njeriut më të afërt politik të kreut të qeverisë.
Megjithatë, Prokuroria e Posaçme nuk mund të duartrokitet, siç bëhet me fëmijët e vegjël që, edhe pse gjuajnë bukur, nuk arrijnë të bëjnë gol.
Me rastin “Balluku”, SPAK-u po tregon se është “viktimë e suksesit të vetë”. Pasi ngriti stekën e arrestimeve tek individë që i bënin hije pushtetit të Ramës, tashmë, përballë mikes së kryeministrit, e ka ulur nivelin në kuota minimale, duke bjerrur me shpejtësi atë imazh pozitiv që krijoi po me shpejtësi në pak vitet e ekzistencës së tij.
Dhe paskëtaj ata ngjanë si një tufë e tredhur keqazi nga i pari i qeverisë duke na kujtuar eunukët në oborrin e sulltanit. Legjenda thotë që po u trodhe një herë, nuk bëhesh më.














