Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare ETEA, Agon Ahmeti, ka ngritur shqetësimin për përmbajtjen e teksteve dhe lektyrave shkollore në Kosovë, duke thënë se ato vazhdojnë të përmbajnë stereotipe gjinore, gjuhë seksiste dhe patriarkale.

Përmes një postimi në Facebook, Ahmeti ka vlerësuar se, pavarësisht përpjekjeve për përmirësim, tekstet shkollore vazhdojnë të jenë burim i stereotipeve që ndikojnë në formimin e mendësisë së fëmijëve.


Ai ka theksuar se, krahas masave për mbrojtjen e grave dhe ndëshkimin e kryerësve të dhunës, është e domosdoshme të ndërhyhet edhe në sistemin arsimor.

“Në këto ditë revolte kundër vrasjes së grave, mbrojtja, dënimet dhe shkarkimet janë të domosdoshme. Por, po aq e domosdoshme është edhe ndërhyrja te themelet”, ka shkruar Ahmeti.

Sipas tij, mendësia patriarkale ndërtohet që në fëmijëri, përmes përcaktimit të roleve gjinore, pritshmërive të prindërve për sjelljen e fëmijëve dhe shembujve që ata shohin e dëgjojnë në familje dhe shkollë.

Ahmeti ka thënë se shkolla duhet të jetë institucion që sfidon dhe çrrënjos këtë mendësi, e jo ta përforcojë atë përmes teksteve, lektyrave dhe mësimdhënies.

“Nëse nuk mund të ndërhyjmë në familje, e nëse familja është strofull e ndërtimit të mendësisë patriarkale, shteti duhet ta ketë shkollën si institucion që e sfidon dhe e zhbën këtë mendësi. E assesi që shkolla, përmes teksteve, lektyrave e mësimdhënies, t’i shërbejë përforcimit dhe riprodhimit të saj, siç po vazhdon t'i shërbejë”, ka shkruar ai.

Në fund, drejtori ekzekutiv i ETEA-s ka paralajmëruar për pasojat që mund të ketë mosadresimi i paragjykimeve në sistemin arsimor.

“Përndryshe, çdo paragjykim që shkolla e lë të pakontestuar i hap rrugë pabarazisë dhe shtypjes në brezin tjetër”, ka përfunduar Ahmeti. /Telegrafi/